Qytetarët të cilët u mblodhën ditën e sotme për të protestuar para kryeministrisë kundër rritjes së çmimeve kanë paralajmëruar se ditën e nesërme do të protestojnë para SPAK. Sipas një qytetareje e cila ishte e pranishme në protestë, SPAK i ka dosjet e kopsitura prej shumë vitesh dhe nuk merret me ato çështje që duhet të merret.
"Ne dalim këtu protestojmë kur asgjë nuk zgjidhim. Duhet ndërgjegjësim. Keni dëgjuar ndonjë politikan t'ju thotë ndërgjegjësohuni, merrni fatin në duart tuaja, bëhuni të zotët e vetes tuaj? A keni parë? A e keni parë se si policia që duhet të jetë në shërbimin tonë është në shërbim të urdhrave politikë dhe ka urrejtje kundër nesh që kërkojmë të drejtat tona. Çdo gjë duhet të fillojë nga vetja.
Nesër bëhet një protestë para SPAK se SPAK i ka dosjet e kopsitura me vite dhe nuk po bën asgjë. Nuk po merret me ato që duhet të merret se ne kemi mentalitetin e të fortit. Ai që ju le pa punë, atë votoni. Akte korruptive të njëpasnjëshme dhe nuk kemi kulturën e dorëzimit të pushtetit. Janë të lidhur me karrigen. Në vend që të punojnë ata për ne, punojmë ne për ata", tha qytetarja.
Qytetarët mbajnë në duar pankartat "Boll na vodhët", "Koncensione, Vjedhje PPP, Oligarki" dhe fatura për të treguar vlerën e lartë të ushqimeve. Qytetarët kërkojnë që qeveria të ndërhyjë në TVSH-në për ushqimet pasi ajo është mjaft e lartë, por kjo gjë është kundërshtuar nga qeveria.