Kryeministri Edi Rama ka kujtuar sot një vjetorin e ndarjes nga jeta të Bashkim Finos, i cili vdiq si pasojë e koronavirusit. Në Facebook, kreu i qeverisë shqiptare ka postuar fotot nga homazhet në nder të ish-deputetit dhe ish-kryeministrit.
“Sot 1 vit më parë në lamtumirën e mikut tonë të mirë, Bashkim Fino. I paharruar gjithmonë”, shkruan Rama.
Bashkim Fino u nda nga jeta në 29 mars të vitit të kaluar pasi ishte infektuar me koronavirus.
Bashkim Fino lindi më 12 tetor 1962 në Gjirokastër. Ishte Kryeministër i Shqipërisë prej 9 mars 1997 deri më 29 qershor 1997. Kreu studimet e larta në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Ekonomik, dega Financë. Në vitin 1992, Z. Fino u zgjodh Kryetar i Bashkisë Gjirokastër, post të cilin e mbajti deri në vitin 1996.
Karriera e tij politike në Partinë Socialiste ishte e hershme. Që nga viti 1997 ai ishte anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste. Kulmi i karrierës së tij do të shënohej në vitin 1997, ku do të zgjidhej Kryeministër i vendit në qeverinë e Pajtimit Kombëtar, post që do ta mbante nga muaji mars deri në korrik. Z. Fino ka mbajtur disa poste ministrore. Nga viti 1997 deri në 1998 ushtroi detyrën e Ministrit të Pushtetit Lokal, njëkohësisht dhe Zv/kryeministër. Në 1999 deri në vitin 2001 do të ishte ministër i pushtetit lokal. Gjatë viteve 2001-2002 ka qenë Ministër i Punëve Publike dhe Turizmit.