Përplasja me Talo Çelën, Nuredin Dumani merret në pyetje te spitali i Traumës

Shqipëria

Përplasja me Talo Çelën, Nuredin Dumani merret në pyetje te spitali i Traumës

Më: 30 mars 2022 Në ora: 20:18
Arrestimi i Nuredin Dumanit

Nuredin Dumani, pas ndërhyrjes kirurgjikale, mësohet se ka dalë nga gjendja e rrezikut për jetën te spitali i Traumës. 

Dumani është nxjerrë nga reanimacioni këtë pasdite. 

Grupi hetimor pritet ta marrë në pyetje të plagosurin nga përplasja me armë me Talo Çelën, nga ambientet e spitalit ku po trajtohet. 

Dy ish-miqtë e shndërruar në armiq shkëmbyen zjarr nga automjetet e tyre pasditen e djeshme në aksin rrugor Elbasan-Peqin. 

Dumani mori një plumb në shtyllën kurrizore, i cili i ka prekur edhe mushkërinë, por nga ndërhyrja kirurgjikale nuk është bërë e mundur nxjerrja e predhës. 

Nuredin Dumani kërkohej nga drejtësia prej disa vitesh, teksa për të janë lëshuar 3 urdhër arreste. Mbi Dumanin rëndojnë akuzat e vrasjes së të paktën 7 personave. 

Saga e krimeve nisi pas grabitjes spektakolare në pistën e aeroportit të Rinasit, ku persona të maskuar dhe të veshur si komando, grabitën rreth 10 mln euro, në 9 prill 2019. 

Pak kohë më pas, mes anëtarëve të bandës nisin likuidimet, hakmarrje të cilat mbërritën deri te dy të mbijetuarit e fundit. Nuredin Dumani vrau në shtator 2020, Bujar Çelën, vëllanë e Talo Çelës, duke bërë që larja e hesapeve mes mes të dyve të arrijë kulmin. 

Mësohet se pasditen e djeshme, Nuredin Dumani në bashkëpunim me persona të tjerë, ishte nisur t'i bënte atentatit pikërisht Talo Çelës, nga i cili mbeti i plagosur. Në automjetin ku udhëtonte Dumani dhe të bërë shoshë nga plumbat, u gjetën një armë zjarri kallashnikov dhe një bidon me benzinë. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat