I rikthyer në Parlament pas disa seancash të munguara, kryeministri Edi Rama më një socialist më pak në sallë, nuk foli asnjë fjalë për drejtësinë që po i arreston deputetët e tij për shkelje të ligjit në çështjen e iniceneratorëve.
Por këtë heshtje e theu deputetja demokrate Jorida Tabaku, sipas të cilës për tre incineratorët përgjegjës përpara ligjit janë edhe pushtetarë të tjerë të mazhorancës socialiste.
"Së pari një herë me kokën ulur do kërkonim ndjesë që Alqi Bllako dhe Legfter Koka kanë qenë pjesë e Grupit Parlamentar të PS. Sot në qoftë se kishte drejtësi Edi Rama, disa ministra dhe kryetarë bashkie duhet të ishin para drejtësisë", tha Tabaku.
Pas takimit në ambientet e Kuvendit me ministrin e tij të Drejtësisë, shefi i mazhorancës në fjalimin e tij publik mbrojti paketën e rezistencës sociale të qeverisë së tij.
"Pasojat e luftës në çmime si pasoja që nuk kanë lidhje fare me luftën, është e pandershme", tha Rama.
Pavarësisht se kishte premtuar se nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë për familjet, Edi Rama paralajmëroi se planet e qeverisë edhe mund të ndryshojnë në kurriz të kësaj fashe konsumatore.
"Ministria e Energjisë po bën një studim për familjet e pasura nëse do të bëjmë një ndarje të përkohshme ku ata që kanë më shumë paguajnë më shumë në faturën e energjisë", tha Rama.
Me pretendimin që drejtuesja e Kuvendit nuk ja dha fjalën në foltore, ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi kundërshtarin e tij politik për pazare në zgjedhjen e Presidentit të ri.
"Putinizma dhe absurditete. Kanë nisur punën për të blerë deputetë, do dështojnë me turp. Po nuk njohën grupin dhe e vazhduan praktikën e blerjes do të dështojnë me turp të madh", tha Berisha.
Pasi Berisha dhe Rama u larguan nga salla, në Parlament mbërriti Lulzim Basha, i “zhveshur” nga funksioni i kryetarit. Si një deputet demokrat, ai nuk mjaftohet vetëm me arrestimin e Alqi Bllakos.
"I pamjaftueshëm deri sa para drejtësisë të shkojë koka e kësaj afere Edi Rama dhe ministrat e tij", tha Basha.
Pas dorëheqjes nga mandati i deputetit të Alqi Bllako, Kuvendi i Shqipërisë ka njoftuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për vakaancën e krijuar. Pas një viti pushim nga politika aktive, fati po i buzëqesh sërish Pandeli Majkos, të cilit sipas radhës i takon të zëvendësojë ish deputetin të akuzuar për falsifikim dokumentash dhe korrupsion.