GJKKO ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg”, për isj-deputetin e PS, Alqi Bllako.
Ish-deputeti socialist akuzohet i përfshirë në aferën e inceneratorëve dhe akuzohet nga SPAK për shpërdorim detyre dhe korrupsion,. Kujtojmë se sipas Strukturave të Posaçme Anti-korrupsion ai u vetëdorëzua në polici.
Ndërkohë Bllako bëhet zyrtari i dytë që arrestohet lidhur me këtë aferë.
SPAK ka nënvizuar se nga hetimet e kryera kanë rezultuar të dhëna se nga ana e Bllakos, gjatë kohës që ka shërbyer në fillim me funksionin Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mjedisit dhe më pas Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve (AKUM), është favorizuar shoqëria koncesionare “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k., kundrejt marrjes në mënyrë të tërthortë të përfitimit të parregullt në shumën prej 14,964,900 (katërmbëdhjetë milion e nëntëqind e gjashtëdhjetë e katër mijë e nëntëqind) lekë.
Përfitimi i parregullt dyshohet se mund të jetë marrë përmes rrogës së babait të tij në një nga kompanitë e inceneratorit. Në 16 muaj, ai është paguar 14.964.900 lekë nga Inceneratori i Tiranës. Këto të ardhura janë përfituar në tre mujorin e fundit të vitit 2018, në vitin 2019 dhe në janar të vitit 2020. Por se si e ka përfituar shumën SPAK nuk e saktëson në njoftimin e tij.
Tre ditë më parë, SPAK ekzekutoi 9 urdhër arrestet e lëshuara për hetimin që lidhet me inceneratorin e Fierit. Ndërkohë u lëshuan edhe 5 urdhër-arreste të reja për dosjen e inceneratorit të Elbasanit.