Banorët që preken nga projektet e rindërtimit janë grumbulluar para bashkisë së Tiranës mëngjesin e sotëm, 4 prill për të kërkuar një dëmshpërblim të drejtë.
Gazetarja e Ora News, Sonila Musai bën me dije se përballë bashkisë ndodhen banorët e "5 Majit", shtëpitë e të cilëve janë shembur për t'i hapur rrugë procesit të rindërtimit.
Këta banorë që nga momenti që i janë prishur shtëpitë nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga institucionet përkatëse se ku do të shkojnë, ku do të strehohen, ku dhe kur do ta marrin shtëpinë e tyre.
Ata kërkojnë një përgjigje nga bashkia e Tiranës dhe kjo është arsyeja që janë mbledhur para këtij institucioni.
Kësaj proteste pritet t'i bashkohen dhe banorët e Laprakës, shtëpitë e të cilëve preken nga projekti i Unazës së Madhe. Ata kërkojnë që para se të shemben shtëpitë të kenë një shpronësim të drejtë.
Një nga banorët para bashkisë u shpreh se bashkia e Tiranës po vazhdon shembjet në mënyrë të paligjshme.
"Ne kemi kërkuar një kontakt me bashkinë e Tiranës, të na japin një shpjegim gjë e cila nuk ka ndodhur. Janë mjaftuar me një shpjegim të përgjithshëm. Po të ishim sqaruar nuk do mblidheshim, nuk do reagonim."
Banorët shprehen se nuk kanë marrë asnjë përgjigje nëse do të dëmshpërblehen apo jo dhe sipas tyre bashkia nuk i ka dhënë asnjë shpjegim, por vetëm justifikime. E pranishme në protestë ishte dhe nënë Liza.