Pesë adoleshentë janë arrestuar nga policia e Tiranës pasi hidhnin në treg kartëmonedha të dyshuara të falsifikuara.
Në kuadër të operacionit "Money Scam” u bë arrestimi i - E. P., 19 vjeç, E. H., 19 vjeç, L. K., 17 vjeç, Xh. Ç., 17 vjeç dhe A. H., 16 vjeç, për veprat penale "Falsifikimi i monedhave", kryer në bashkëpunim dhe "Mashtrimi".
Blutë e kryeqytetit bëjnë me dije se "këta shtetas, pasi blinin kartëmonedha të falsifikuara nëpërmjet rrjeteve sociale, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se i hidhnin në qarkullim nëpër subjekte të ndryshme tregtare, në qytetin e Tiranës."
U sekuestrua një sasi e konsiderueshme e kartëmonedhave të prerjes 50 euro, të dyshuara të falsifikuara.
Vijon puna për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.