Iu ndërpre mandati, ja procedura e zgjedhjes së krerëve të degëve socialistë. Gjiknuri prezanton ndryshimet në PS

Shqipëria

Iu ndërpre mandati, ja procedura e zgjedhjes së krerëve të degëve socialistë. Gjiknuri prezanton ndryshimet në PS

Më: 7 prill 2022 Në ora: 14:34
Foto ilustrim

Kongresi i PS-së ditën e shtunë do të zhvillohet brenda dhe jashtë godinës së Pallatit të Kongreseve.

Ndryshe nga herë të tjera, ku përveç tematikës organizative brenda sallës, ky kongres do të zhvillohet edhe në vende të hapura rreth ndërtesës së Pallatit të Kongreseve, ku shumë të interesuar do të kenë mundësinë të marrin pjesë.

Mbledhjes së këtij forumi, i parapriu dje Asambleja Kombëtare, e cila u mblodh online.

Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Damian Gjiknuri, prezantoi axhendën e diskutimeve dhe ndryshimet statutore. Ai njoftoi përgatitjen e akteve të reja bazuar në statut, si dhe mirorganizimin e procedurave që do të përcaktojnë kryetarët e rinj të partive.

“Statuti i PSsë reflekton synimet që i kemi vënë vetes. Kemi të bëjmë me disa elementë të rinj të partisë, ku jo vetëm që i krijojmë mundësinë e rizgjedhjes së kryetarëve të partisë në të gjithë Shqipërinë dhe kjo nuk bëhet pa qëllim, por për të rinovuar strukturën. Kjo nuk do të thotë se kryetarët aktualë që iu ndërpritet mandati nuk kanë të drejtë të kandidojnë, përkundrazi të gjithë të vlerësohen. Nëpërmjet Asamblesë, do të përgatisim dhe aktet e reja bazuar në statut ku dhe do të mirë organizojmë të gjithë procedurat se si do të përcaktohen kryetarët e rinj të partisë”, deklaroi Gjiknuri.

Sipas tij, mandati i tretë i PS-së duhet të jetë inovativ dhe në nivelet që presin qytetarët nga mazhoranca.

“Statuti i PS-së reflekton synimet që i kemi vënë vetes, kemi të bëjmë me disa elemente të rinj të organizimit të partisë, jo vetëm krijojmë mundësinë e rizgjedhjes së të gjithë kryetarëve të partisë në të gjithë Shqipërinë dhe kjo nuk bëhet pa qëllim, kjo bëhet për të rinovuar strukturën, kjo nuk do të thotë se kryetarëve aktual, të cilëve u ndërpritet mandati nuk kanë të drejtë të kandidojnë, sepse e di që mund të ketë pasur edhe keqkuptime në këtë drejtim, por dua t’ju them se të gjithë e kanë këtë të drejtë, të gjithë do të vlerësohen; janë strukturat ato që do të propozojnë”, deklaroi ai.

Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, vuri në dukje se fakti që PS-ja është në pushtet sot, falë qeverisjes së mirë, është për shkak të forcës sonë politike që ka ditur të organizohet dhe që ka një jetëgjatësi e trashëgimi të mirë nga pikëpamja organizative.

“PS-ja ka ditur të adaptohet me kërkesat e kohës. Jemi në mandatin e tretë, një ngjarje e paprecedentë në politikën shqiptare që njëkohësisht sjell sfida shumë të mëdha për PS-në. Ka ardhur momenti që ne të bëhemi më inovative, as i përket organizimit me fokus fitoren. Jo vetëm fitorja si qëllim në vetvete, por duke u rifreskuar me kërkesat që sjell koha, me shqetësimet që kanë qytetarët shqiptarë, me atë që presin ata nga kjo mazhorancë”, theksoi Gjiknuri.

Kongresi, PS zgjeron sekretariatin, shtohen edhe dy sekretarë të tjerë

Socialistët do të zgjerojnë sekretarin e partisë. Në mbledhjen e Asamblesë kreu i mazhorancës, Edi Rama, deklaroi se në Kongresin e PS-së e shikon të arsyeshme që të merret në konsideratë zgjerimi i sekretariatit me dy sekretarë të tjerë.

“Të gjithë sekretarët do të flasin dhe do të raportojnë jo vetëm për atë që kanë bërë, por ashtu siç e kemi lënë në Kongresin paraardhës, për vizionin e tyre lidhur me atë rol si dhe objektivat e tyre për të realizuar atë vizion. Gjë që do të kërkojë në fund dhe miratimin e Kongresit sa i takon gjithë programit të paraqitur nga sekretarët, ku do të shtojë se me kërkesë të sekretarit të Përgjithshëm, unë e konsideroj të arsyeshme që Kongresi të marrë në konsideratë zgjerimin e Sekretariatit me dy sekretarë të tjerë dhe patjetër diskutimet e hapura do të lidhen dhe me funksionimin e mëtejshëm të punës së sekretariatit dhe me statutin e ri të PS-së”, deklaroi Rama.

Ai u kërkoi deputetëve që në mbledhjen e së shtunës të jenë aktivë sipas zonave që mbulojnë për të përmbushur angazhimet.

“Në fund të Kongresit të gjithë organizatorët e paneleve do të bëjnë për publikun një përmbledhje të punës për temat e mprehta dhe do të përcaktojë edhe piketat mbi të cilat me tej Kryesia dhe Grupi parlamentar do të punojnë për t’i realizuar angazhim. Ne fund do të doja t’ju kërkoja angazhim gjithë ditën e Kongresit nga ana e deputeteve. Të ndihmojmë njëri-tjetrin për të dalë te vendimet e rëndësishme”, tha Rama.

PS, si funksionon Komisioni i Garancive Statutore dhe Etikës

Në Partinë Socialiste sipas nenit 42 të statutit të partisë funksionon Komisioni i Garancive Statutore dhe Etikës (KGSE), i cili vendos për çështjet që kanë të bëjnë me zbatimin dhe interpretimin e Statutit dhe Librit të Rregullave, si dhe të vendimeve të organeve qendrore të partisë. KGSE-ja përbëhet nga pesë anëtarë.

Anëtarët e partisë, kandidatë për t’u zgjedhur në KGSE, duhet të kenë të paktën 10 vjet anëtarësi në parti;

Anëtarët e KGSE-së nuk mund të jenë anëtarë të organeve të tjera qendrore të partisë dhe as punonjës të administratës së partisë;

Mandati i KGSEsë zgjat katër vjet;

KGSE-ja vihet në lëvizje mbi bazën e ankesave dhe kërkesave të anëtarëve, strukturave e organeve të partisë ose kryesisht;

Mbledhja e KGSE-së është e vlefshme kur në të marrin pjesë mbi 50% e anëtarëve të tij;

Vendimet e KGSEsë merren me votim të hapur, me shumicë të thjeshtë votash dhe janë të detyrueshme për t’u zbatuar;

KGSE-ja nuk mund të shqyrtojë e të gjykojë vendimet politike të Kongresit dhe të Asamblesë Kombëtare;

Mënyra e ngritjes dhe e funksionimit të KGSE-së përcaktohet me rregullore të veçantë që hartohet nga KGSE-ja dhe miratohet nga AK-ja; Për veprimtarinë e tij, KGSE-ja raporton në Kongresin e partisë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat