VOA/ Kryeministri Rama i bën thirrje SPAK të hetojë ish kryeministrin Berisha dhe këdo zyrtar e ish zyrtar të dyshuar për korrupsion

Shqipëria

VOA/ Kryeministri Rama i bën thirrje SPAK të hetojë ish kryeministrin Berisha dhe këdo zyrtar e ish zyrtar të dyshuar për korrupsion

Më: 9 prill 2022 Në ora: 18:20
Edi Rama

Në Tiranë, kryeministri Edi Rama i bëri thirrje Prokurorisë së Posaçme që të hetojë krime të ish kryeministrit Sali Berisha, pasi ai u shpall non grata nga SHBA.

Zoti Rama i bëri këto komente në Kongresin e Partisë Socialiste, ku tha se reforma në drejtësi po jep rezultate, si arrestimi i një deputeti dhe një ministri për korrupsion.

Opozita deklaroi nga ana e saj se qeverisja socialiste është përfshirë nga skandalet e korrupsionit dhe varfërimi i qytetarëve.

Kryeministri Edi Rama u bëri thirrje institucioneve të reja të drejtësisë që të hetojnë mbi dyshimet për vepra penale ndaj ish kryeministrit Sali Berisha.

Zoti Rama i bëri këto komente në Kongresin e Partisë Socialiste, ku gjysmën e fjalimit ia kushtoi pritshmërisë së lartë të publikut pas reformës në drejtësi për rezultate kundër krimit dhe korrupsionit.

Kryeministri Rama përmendi në fjalën e tij 4 vrasjet nga garda në shëtitoren Dëshmorët e Kombit gjatë një proteste të opozitës një dekadë më parë si dhe ngjarje të tjera të rënda gjatë dy mandateve qeverisëse të zotit Berisha.

“SPAK ka detyrimin të hetojë ish kryeministrin Berisha pas deklaratës së SHBA-ve, mikut dhe aleatit më të madh të Shqipërisë, që ndalon atë të vizitojë SHBA. Ajo deklaratë rëndon Shqipërinë, sepse Berisha ka drejtuarShqipërinë dhe SPAK duhet të vlerësojë qëndron apo nuk qëndron” - tha zoti Rama.

Ish kryeministri Berisha nuk komentoi në rrjetet sociale mbi akuzat e zotit Rama ndaj tij për abuzimet me pushtetin, por shënoi në FaceBook se PS ka përhapur korrupsionin në çdo nivel të administratës shtetërore, është shndërruar në një organizatë kriminale që blen votat, përhap narkotikët, pastron paratë e dhe vjedh ekonominë e vendit.

Ish kryeministri Sali Berisha dhe familja e tij u përcaktua nga SHBA si i papërshtatshëm, për shkak të korrupsionit dhe cënimit të demokracisë.

Nga ana tjetër, kryeministri Rama tha se reforma në drejtësi po jep rezultate të dukshme, ndërsa SPAK po arreston deputetë e ministra, gjë që në qeverisje të mëparshme as që nuk përfytyrohej.

Ai theksoi se të akuzuarit nga SPAK për shkeljet me incineratorët, ish ministri Lefter Koka, dhe ish deputeti Alqi Bllako, kanë përgjegjësi personale me drejtësinë, se kushdo tjetër që dyshohet për shkelje ligjore, duhet të marrë vet avokat për t’u mbrojtur nga akuzat penale dhe se PS nuk është zyrë avokatie e askujt.

“Kushdo pjesëtar i familjes socialiste, që shkel në dërrasë të kalbur, duhet të gjejë vet avokatin, sepse Partia Socialiste nuk ofro shërbime avokatie ndaj asnjë zyrtari qendror apo vendor që shkel ligjin” - tha zoti Rama.

Kryeministri Rama i bëri thirrje SPAK, që ndërsa i ka tashmë rrugët krejt të hapura për të ngritur akuza ndaj kujtdo zyrtari, ende nuk ka thirrur para drejtësisë asnjë gjyqtar apo prokuror të shkarkuar nga detyra prej procesit të vetingut, edhe pse ata haptas nuk justifikonin dot pasuritë e tyre dhe shkelje të tjera.

Ai kërkoi u shpreh edhe për drejtësi proporcionale, kur renditi disa dënime për krime të papërfillshme në jetën komunitare kundrejt sic u shpreh ai shkeljeve të rënda të kryera nga ish ministra të opozitës me fondet publike dhe abuzime që njihen publikisht, por ndaj të cilëve nuk ka akuza penale, duke ngritur kështu sërish çështjen e pandëshkueshmërisë shumëvjecare së politikanëve.

Opozita ndërkohë deklaroi se Kongresi i PS kulmoi sot 8 vjet mashtrime e dështime në qeverisje, varfëri për qytetarët dhe dhe skandale korrupsioni të qeveritarëve socialistë.

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj, shënoi në FaceBook se propaganda e socialistëve nuk mund të fshehë realitetin e hidhur të varfërisë së shqiptarëve të keqqeverisur.

Sipas tij, kryeministri Rama nuk guxoi të thoshte asnjë fjalë për vjedhjen e miliona eurove të inceneratorëve nga ministrat dhe njerëzit e tij më të afërt, ndërkohë që shqiptarët ikin përditë nga vendi i tyre, ku lulëzon krimi e droga dhe ku blejnë dot ushqimet e përditshme./VOA

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat