Lista të hapura edhe për bashkitë/ Shoqëria civile i propozon për këshilltarët ashtu si për deputetët

Shqipëria

Lista të hapura edhe për bashkitë/ Shoqëria civile i propozon për këshilltarët ashtu si për deputetët

Më: 10 prill 2022 Në ora: 20:18
Kristaq Kume

Shoqëria civile kërkon nga Kuvendi që ashtu siç bëri me hapjen e listave për kandidat për deputet të bëjë edhe me këshilltarët bashkiak.

Kristaq Kume, i cili dy vjet me parë ishte pjesë e tryezës për reformën zgjedhore në Këshillin Politik, mendon se kjo praktikë do të përmirësonte përfaqësimin e qytetarëve në pushtetin vendor.

“Ajo që kërkojmë ne të bëjmë është të veprojë demokracia përfaqësuese në mënyrë sa më funksionale në zgjedhjet e organeve të qeverisjes vendore dhe një ndër rrugët që e bën të mundur është hapja e listave për këshillat bashkiakë, që do të thotë dhënia e të drejtës qytetarëve për të zgjedhur ata me votën e tyre kë duan që t’i përfaqësojë në këshillin bashkiak”, thotë Kristaq Kume.

Për herë të parë në zgjedhjet e 25 Prillit, shqiptarët krahas partisë votuan edhe për kandidatin e preferuar, por hapja e listave ishte pjesërisht, për shkak se   kryetarët e partive donin të ruanin  të drejtën ekskluzive në hartimin e listave. Por, a i druhen nismëtarët e kësaj nisme, refuzimit nga ligjvënësit?

“Nuk gjej arsye apo argument për të mos u përdorur një gjë e tillë përveçse në qoftë se do të vazhdohet  jo nga anëtarët e Parlamentit, por nga drejtuesit e tyre nga lidershipet e partive që të qëndrojnë me shumë forcë në pozitat që ata i kanë si të tilla, të jenë ata alfa dhe omega për kë duhet dhe kush duhet të përfaqësojë qytetarët në organet e zgjedhura”, shprehet Kume.

Dëshirën e ka materializuar në nismë, ku KQZ-ja i dha dritën jeshile për fillimin e grumbullimit të firmave. Tani organizatat e shoqërisë civile kane tre muaj kohë për të mbledhur minimalisht 20 mijë nënshkrime  për t’ia paraqitur si amemdament ligjor Kuvendit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat