Milo komenton vizitën e Ramës në Gjermani: Vështirë të gjejmë zgjidhje!

Shqipëria

Milo komenton vizitën e Ramës në Gjermani: Vështirë të gjejmë zgjidhje!

Më: 12 prill 2022 Në ora: 20:51
Paskal Milo

Ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo, e sheh si pozitive vizitën e kryeministrit Rama në Gjermani. Megjithatë, pavarësisht mbështetjes së kancelarit gjerman për Shqipërinë në rrugëtimin drejt BE-së, Milo thotë se vendi mbetet peng i Maqedonisë së Veriut.

“Vizita në përfundim të saj ishte pozitive. Qoftë edhe për faktin që u takuan kryeministrat, vendosën kontaktet. Qoftë edhe kaq është për t’u përshëndetur. Gjermania është vetëm një anëtar në mes shumë të tjerëve. Por është zë i madh, zë kryesor. Fakti që Sholz do të mbështesë hapjen e negociatave është i rëndësishëm. Ne jemi peng i Maqedonisë së Veriut, peng i pretendimeve bullgare, që vështirë se mund të gjejnë zgjidhje”, u shpreh Milo në MCN TV.

Në lidhje me nismën për Ballkanin e Hapur, Milo u shpreh se pavarësisht se është pozitive, nga Gjermania shihet si mbivendosje e procesit të Berlinit dhe si e tillë nuk do të gjejë mbështetje.

“Çdo nismë që synon një treg unik të Ballkanit Perëndimor dhe të garantojë zbatimin e 4 lirive që qëndrojnë në themel të BE është pozitiv. Por duke lënë mënjanë realitetin, e shoh të vështirë realizimin e hapësirës unike ballkanike perëndimore. Është e vërtetë që gjermanët nuk e kanë për zemër Ballkanin e Hapur sepse ata mendojnë se është mbivendosje e Procesit të Berlinit. Ata duan ta rivitalizojnë procesin e Berlinit dhe të mos i japin hapësirë Ballkanit të Hapur. Ai që merr një nismë, do ta mbrojë, do ta shtyjë përpara”, tha Milo.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat