Ka përfunduar në SPAK marrja në pyetje e ish-ministrit të Mjedisit, Lefter Koka. Seanca zgjati rreth 3 orë e 30 minuta.
Ai shoqërohej nga dy avokatët e tij Përparim Kulluri dhe Julian Mërtiri.
Në orën 9:30 është sjellë nga ambjentet e paraburgimit të Durrësit te ambjentet e burgut 313 në Tiranë. Përmes tunelit është dërguar në SPAK, ashtu si ndodhi një ditë më parë me Alqi Bllakon.
Koka është marrë në pyetje për incineratorin e Fierit. Ai ka mohuarakuzat për shpërdorim detyre, duke deklaruar se ka ndjekur procedurat.
Koka: Mospublikimi i ofertës tenderuese në fletoren europiane është bërë për shkak se në rastin në fjalë nuk parashikohej në ligj. Nuk kam shpërdoruar detyrën. Kam zbatuar të gjithë procedurën dhe kërkesat ligjore. Për shpronësimin është ngritur një komision i posaçëm. Nuk kam bërë asnjë shkelje. Akuzat janë politike.
Të arrestuarit për incineratorët do të pyeten në cilësinë e personave te pandehur pasi më herët janë pyetur si persona që kanë dijeni për rrethanat e hetimit.
Ish-ministri Koka akuzohet për shpërdorim të detyrës, pastrim të parave dhe korrupsion, ku përmes faturave tatimore fiktive nga kompani të treta të lidhura me të, për punime që në të vërtetë nuk janë kryer.
Kjo pagesë, iu dha ish-ministrit si shpërblim për favorizimin që i bëri 2 kompanive për të lidhur kontratën e koncensionit.
Ndërsa Alqi Bllako akuzohet për korrupsion dhe shpërdorim detyre pasi sipas SPAK ka falsifikuar dokumente shpronësimi për një tokë që nga arë ishte kthyer në truall dhe dokumentet e falsifikuara i janë paraqitur Këshillit të Ministrave, tokë mbi të cilën do ndërtohej inceneratori i Fierit.
Kjo shkelje, sipas Prokurorisë së Posaçme, është bërë në bashkëpunim me ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka dhe kryetarin e shpronësime, Pëllumb Abeshi.