Përplasja mes Bashës e Berishës po copëton dhe bastionin e vetëm lokal të demokratëve, Shkodrën. Kryebashkiaku i ri Bardh Spahia ka shkarkuar nga detyra dy administratorë, të cilët e quajnë vendimin si revansh politik brenda partisë.
Shkodra si bashkia e vetme e demokratëve, ku kanë pushtet për të ndarë përtej selisë blu u shndërrua në arenë e përplasjes mes tyre.
Bardh Spahia i zgjedhur kryetar me mbështetjen e Sali Berishës akuzohet se po “spastron” administratën lokale nga mbështetësit e Lulzim Bashës.
Altin Shabaj, administrator në Postribë dhe Gjovalin Darragjati, administrator në Dajç, thonë se janë larguar vetëm se mbështetën Xhemal Bushatin me 6 Mars si kandidat të PD.
Shabaj: Arsyeja është pse kam mbështetur kandidatin e PD.
Darragjati: Nuk i shërben bashkimit dhe PD.
Ndërsa krye-demokrati i Shkodrës Xhevdet Amuli akuzon direkt Sali Berishën.
Amuli: Janë bërë bashkë të korruptuarit, non gratat, përfituesit dhe zaptuesit e Shkodrës për të sunduar Shkodrën dhe të ardhmen.
Ndaj e kanë një mesazh politik për vendimin që siç thonë ka synim përçarjen e demokratëve në një kohë kur kryefjala është bashkimi.
Amuli: Ndërsa flasim për bashkim, realiteti është presion politik, hakmarrje , përjashtim apo largime nga puna të gjithëkujt që nuk bashkohet me hallin e Bardh Spahisë apo Voltana Ademit. Bardh Spahia ndalo presionin politik dhe hakmarrjen!
Bardh Spahia mori drejtimin e Bashkisë Shkodër duke pasuar në post Voltana Ademin, pasi fitoi zgjedhjet përballë Majlinda Agoni dhe Xhemal Bushatit si kandidat i PD.