Policia ka përdorur dhunë, gaz lotsjellës dhe ujë me presion ndaj protestuesve pa paralajmërim.
Ky është një ndër konstatimet e raportit të Avokatit të Popullit për tubimet e dhjetorit të vitit 2020.
Në dokument nënvizohet edhe shoqërimi i gazetarëve pa asnjë justifikim edhe pse ata kanë qenë në detyrë duke raportuar për ngjarjet që ishin duke ndodhur.
Por po ashtu nga monitorimi i kryer është faktuar se forcat e rendit kanë bërë shoqërime masive gjatë protestave edhe pse ato nuk janë të justifikuara.
“Nga inspektimet e bëra në organet e Policisë së Shtetit kemi konstatuar se numri i personave të shoqëruar ka qenë i lartë dhe veçanërisht në rastet e protestave/tubimeve të organizuara nga subjekte të ndryshme, organizata të shoqërisë civile dhe grupime qytetare”, thuhet në materialin e dorëzuar në parlament.
Nga ana tjetër është konstatuar se të ndaluarit gjatë tubime kanë qendruar në kushte të papranueshme pasi në komisariate nuk ka pasur dhoma të shoqërimit, orendi për të qëndruar ulur madje është konstatuar edhe mungesë e kushteve higjieno-sanitare.
Këto probleme janë vërejtur në Komisariatet e Policisë Tiranë 1, 2, 3, 4 e 5 nga 6 Komisariate që janë gjithsej në kryeqytet.
Megjithatë tërhiqet vëmendja se në tubimet e dhjetorit 2020 disa pjesëmarrës kanë kryer veprime të dhunshme ndaj punonjësve të Policisë së Shtetit, duke i goditur ata me sende të forta.
Pavarësisht kësaj është konsideruar i rëndë fakti se u shoqëruan edhe të mitur nën moshën 14 vjeç dhe për ta nuk është plotësuar Formulari i Raportit të Shoqërimit.