Deputeti demokrat Zef Hila ka shprehur nevojën e bashkimit të PD-së sa më parë. Nëpërmjet një reagimi në Facebook ai ka shprehur qëndrimin e tij edhe ndaj platformës së prezantuar nga Enkelejd Alibeaj për bashkimin e demokratëve.
Sipas Hilës, kjo platformë lë shumë hapësira dhe krijon "ngërçe" të cilat nuk zgjidhin por përkeqësojnë situatën në radhët e demokratëve.
Deputeti gjykon se vota e lirë e çdo demokrati është baza për zhvillimin dhe forcimin e Partisë Demokratike.
Reagimi i plotë:
Të nderuar demokratë të Bashkisë Vau Dejës dhe Qarkut të Shkodrës,
Si përfaqësues i juaji në Parlamentin Shqiptar, pjesë e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, ndjej detyrimin tim personal për të sqaruar të gjithë demokratët e Qarkut Shkodër, për qëndrimin tim lidhur me situatën aktuale në Partinë Demokratike të Shqipërisë.
Situata e vështirë, në të cilën po kalon forca e vetme me frymë demokratike, e lindur në vitet 90 për të sjellë ndryshimin në Shqipëri, sot ka nevojë për Bashkim, dhe asnjë “përçarje”.
Të gjithë jemi njohur me platformën e propozuar, e cila lë shumë hapësira dhe krijon “ngërçe”, të cilat nuk zgjidhin por përkeqësojnë situatën në radhët e demokratëve.
Si zëri juaj dhe përfaqësues i demokratëve ndjej detyrimin t´ju bëj me dije qëndrimin tim përballë kësaj situate:
1. Grupi parlamentar i dalë nga zgjedhjet e 25 Prillit 2021 duhet të jetë unifikues, duke filluar me shfuqizimin e çdo vendimi për përjashtim të deputetëve të grupit parlamentar.
2. Të gjithë demokratët duhet te jenë të bashkuar nën një sigël të vetme të Partisë Demokratike.
3. Vota e lirë e çdo demokrati është baza për zhvillimin dhe forcimin e Partisë Demokratike.
Ky është qëndrimi im përballë demokratëve, çdo kërkesë përjashtuese ndaj çdo demokrati thellon krizën ndërkohë që sot është koha vetëm për bashkim rreth vlerave të demokratëve.