Dogji makinën e kryeplakut në Vermosh, gruaja me probleme mendore lihet e lirë

Shqipëria

Dogji makinën e kryeplakut në Vermosh, gruaja me probleme mendore lihet e lirë

Më: 18 prill 2022 Në ora: 14:30
Foto ilustrim

Djegia e automjetit të kryeplakut të Vermoshit, Prekë Vata, ka nxjerrë në pah edhe një tjetër problematikë, që në këtë zonë ka vite që shqetëson banorët, por që është një problematikë e evidentuar edhe në qytete të tjera të Shqipërisë.

Ky problem shqetësues është kryerja e krimeve apo ngjarjeve të shkatërrimit të pronës nga persona me probleme të shëndetit mendor.

Pas hetimeve për djegien e mjetit të kryeplakut të Vermoshit, policia identifikoi dhe arrestoi si autore, një grua e cila rezulton me probleme të shëndetit mendor. Por prokuroria nisur nga raporti mjekësor, vendosi lirimin e gruas dhe lënien e saj sërish në gjendje të lirë.

Për kryeplakun e Vermoshit, personi në fjalë prej vitesh është kthyer në shqetësim për banorët e zonës, duke shkaktuar herë pas here dëme dhe shkatërrime të pronës dhe gjësë së gjallë.

Dhe në apelin e tij, Prekë Vata, i kërkon institucioneve të marrin masa përpara se të kryhet ndonjë ngjarje tjetër.

Trajtimi në mënyrë ambulatore i personave me problem të shëndetit mendor është një shqetësim, pasi jo në pak raste ata kanë kryer edhe krime të rënda kundër jetës së personit, ndërsa institucionet ende nuk i kanë kapacitet as për t’i kontrolluar dhe as për t’i mbajtur të mbyllur në qendra të posaçme, raporton A2 CNN. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat