Vendimi i Gjykatës së Tiranës që i dha “vulën” e PD-së Rithemelimit, ka përfunduar në Apel. Sot gjykata e Apelit ka njoftuar se është marrë në shqyrtim statutin e miratuar në Kuvendin e 11 Dhjetorit.
“Apeli” ka pranuar ankimin e Enkelejd Alibeajt ndaj vendimit për njohjen e statutit të 11 Dhjetorit nga gjyqtari Agron Zhukri. Alibeaj kërkon prishjen e vendimit të marrë nga gjyqtari ose shqyrtimin me një tjetër trupë gjykuese.
Pas këtij vendimi i Apelit ka ardhur reagimi i revoltuar i ish-ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani i cili e konsideron këtë një turp.
Postimi i plotë:
Vendimi i gjykatës Tiranë për të legjitimuar një ankim të një personi që nuk është palë në një sallë gjyqi, është TURP juridik!
Rast unik në jurisprudencë dhe precedent i rrezikshëm.
Më vjen keq dhe, përtej respektit që kam për gjyqtaren, por shoh që parimet e gjykimit të rregullt kanë rënë. Ky është vendim i marrë nën presion të jashtëzakonshëm.
Tani mund të legjitimohet çdo pushtetar e diplomat, njësoj si çdo bandit që i bën presion gjykatës dhe mund të mbajë peng të drejtën e kujtdo.
Turp e faqja e zezë!
Them turp sepse fatin e asnjë partie nuk e cakton dot gjykata!
Le ta bëjnë dhëmbin sa Kimi po të duan, por ky është realiteti!
Të fala reformës dhe drejtësisë së pavarur!