Edhe besimtarët ortodoksë të qytetit të Beratit kanë kremtuar sot të Premten e Zezë,e cila simbolizon përkujtimin e vuajtjeve të Jezu Krishtit dhe vdekjen e tij në kryq.
Riteve të organizuara në Katedralen e “Shën Dhimitrit” ju janë bashkuan qindra besimtarë ortodoksë beratas, që u bënë pjesë e këtij rituali,që simbolizon varrin e Krishtit.
Kanë qënë At Johan Qako dhe At Petraq Simsia ata që kanë drejtuar edhe ritet fetare në Katedralen e “Shën Dhimitrit”, ku besimtarët janë lutur për shëndet, mirësi dhe lumturi.
Pas kryerjes së shërbesës së mbrëmjes së të Premtes së Zezë, që për besimtarët ortodoks shënon vdekjen e Jezu Krishtit, At Johan Qako dhe At Petraq Simsia kanë kryer edhe ritualin e Epitafit, që fillimisht ka shëtitur përreth oborrit të Katedrales së Shën Dhimitrit për disa minuta e më pas është kapërcyer nga besimtarët.
Pas përfundimit të riteve fetare, Epitafi, i shoqëruar nga besimtarët ortodoksë, ka përshkruar shëtitoren e qytetit, një ritual ky i përvitshëm në qytetin e Beratit.
E premtja e Zezë shënon vdekjen e Jezu Krishtit në Kryq, për t’u ringjallur mesnatën e së shtunës, kohë kur kulmojnë edhe kremtimet e Pashkëve.
E premtja e Zezë i paraprin të dielës së Pashkëve, ku ceremonitë fetare mbahen si çdo vit në Katedralen e Shën Dhimitrit, në qendër të qytetit të Beratit.