Aksident në ditën pa makina, 2 viktima nga ngjarjet rrugore në Tiranë dhe Korçë

Shqipëria

Aksident në ditën pa makina, 2 viktima nga ngjarjet rrugore në Tiranë dhe Korçë

Më: 24 prill 2022 Në ora: 13:57
Foto nga vendi i ngjarjes

E diela ka shënuar dy viktima nga aksidentet rrugore në vend ndërkohë që njëra prej këtyre ngjarjeve ndodhi në Tiranë në ditën e deklaruar pa makina nga bashkia. Urbani është përplasur me një motor në zonën e Shkozës ndërsa viktimë ka mbetur një 45 vjeçar. Edhe pse e cilësuar si një ditë ku qarkullimi me makina reduktohet me vendim të bashkisë, vëzhgimi i Ora News konstatoi mjete të rënda dhe betoniere që qarkullonin pa pengesë në rrugët e Tiranës.

Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen u shënua të dielën në Tiranë, e shpallur nga bashkia e kryeqytetit si dita pa makina.

Një motomjet, në të cilin po lëvizte një 45 vjeçar u përplas me urbanin e linjës së Shkozës.

Motomjeti përplaset me autobusin e Shkozës, ndërron jetë në spital shoferi 45-vjeçar

Copëza xhami e kauçuku, skafanda e thyer e njolla gjaku, kjo është ajo se çfarë ka mbetur nga aksidenti i rëndë i ndodhur këtë të dielën në zonën e Shkozës.

45 vjeçari i cili po lëvizte me motor dyshohet se në shpejtësi të lartë nuk ka arritur të devijojë urbanin. Shenjat e përplasjes së fortë janë të dukshme edhe në xhamin e përparmë të urbanit.

Për fat të mirë, asnjë nga pasagjerët që ndodheshin në autobus, nuk pësoi lëndime.

Shoferi i urbanit të Shkozës, 60 vjeçari me iniciale H.T është shoqëruar në komisariat për të dhënë dëshminë si dhe për kontrollin e alkoolit.

Aksidenti ndodhi në ditën pa makina, të deklaruar nga bashkia e Tiranës e cila mesa duket nuk vlen për mjetet e tonazhit të rëndë.

Qëndrimi i ashpër i policisë me gjoba, duket se nuk ka ndikuar në parandalimin e ngjarjeve rrugore, pasi rreth orës 11:00, në aksin rrugor Korçë-Pogradec, këmbësori me iniciale K.H, humbi jetën pasi u godit nga një mjet tip "Benz".

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat