Komisioneri për zgjerim viziton Shqipërinë ‘duarbosh’, vetoja bullgare do të jetë në qendër të bisedimeve me Edi Ramën

Shqipëria

Komisioneri për zgjerim viziton Shqipërinë ‘duarbosh’, vetoja bullgare do të jetë në qendër të bisedimeve me Edi Ramën

Më: 28 prill 2022 Në ora: 09:15
Oliver Varhelyi

Pas një turi në vendet e Ballkanit Perëndimor, Komisioneri i Bashkimi Europian për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi do të vizitojë ditën e sotme Shqipërinë.

Zyrtari i lartë evropian do të takohet me kryeministrin Edi Rama dhe më pas do të zhvillojë një konferencë të përbashkët për mediat.

Vizita e tij vjen përpara se vendet e unionit të marrin një vendim në muajin qershor për uljen në tryezën e parë ndërqeveritare të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian.

Vizita zyrtare e Varhelyi në Shqipëri vjen në kuadër të turit të takimeve në Ballkan. Takimet kanë nisur më 25 prill ndërsa do të përfundojnë më datë 28, në Tiranë. Përveç Tiranës, Komisioneri i Bashkimit Evropian për Zgjerimin vizitoi, Shkupin dhe Sofjen.

Vështirësia e këtij takimi ka të bëjë me faktin e këmbënguljës bullgare për vendosjen e vetos ndaj Maqedonisë së Veriut.

Këtë mesazh Oliver Varhelyi e mori të përsëritur edhe njëherë në turin e tij ballkanik, gjatë ndalesës së fundit në Sofje. Ai u përball aty me pretendimin se përfshirja e pakicës bullgare në kushtetutën e Maqedonisë është një kusht që duhet përmbushur përpara se të fillojë negociata për anëtarësimin në BE. Këtë qëndrim e ka konfirmuar ministrja e Punëve të Jashtme të Bullgarisë, Teodora Gençovska, para fillimit të forumit “BE dhe Ballkani”. Gençovska sqaroi se ky kusht për Maqedoninë është vendosur në deklaratën e parlamentit të vendit të saj dhe në vendimet e Këshillit Konsultativ për Siguri Kombëtare.

“Për të filluar procesin e negociatave të anëtarësimit në BE, mbetet kërkesa që Republika e Maqedonisë së Veriut të regjistrojë bullgarët në Kushtetutën e saj. Në këtë fazë, fillimisht duhet ta zbatojnë dhe më pas të fillojnë negociatat me ta. Nuk e di se çfarë sinjalesh ka dhënë kryeministri (Kiril Petkov), por ky është qëndrimi ynë”, ka thënë ajo.

Ky qëndrim i kryediplomates bullgare, që penalizon indirekt edhe Tiranën duket se ka shumë pak gjasa të ndryshojë, deri qershorin e ardhshëm kur pritet të mbahet Këshilli Europian.

Komisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin Varhelyi, u shpreh i zhgënjyer me penalizimin që po i bëhet dy vendeve.

“Nëse ke pushtet dhe nuk e përdor, kjo konsiderohet nga të tjerët si kapitullim, dorëzim i pushtetit tënd dhe i kapaciteteve të tua. Çështja për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut është kur do fillojmë procesin e negociatave të anëtarësimit. Nuk mund ta fsheh zhgënjimin tim, që jemi ende duke vazhduar të diskutojmë këtë çështje. Ne menduam se e kishim zgjidhur dy vjet më parë dhe tani kjo është sërish në tryezë”, tha ai nga Sofja.

Si rrjedhojë Rama po bën përçapjet e fundit për të ndarë Shqipërinë nga Maqedonia e Veriut, të njëjtëen gjë që bëri tentoi të bëntë disa vite më parë, Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat