Një ngjarje e rëndë ka ndodhur një ditë më parë në Elbasan. Një grua 52-vjeçare është hedhur nga kati i tretë i një pallati dhe si pasojë ka humbur jetën. Viktima është Fatbardha Likrama, nënë e tre fëmijëve, e cila nuk mundi të durojë më dhunën sistematike që përjetonte në familje, nga bashkëshorti, vjehrra dhe vjehrri i saj. Likrama tentoi t’i shpëtojë dhunës, duke u larguar në shtëpinë e motrës, që jeton përballë pallatit të saj në lagjen “Vullnetari” në Elbasan.
Ajo shkoi edhe në polici e denoncoi rastin, por asnjë masë nuk u mor nga autoritetet. Kështu, ajo përfundoi duke u marrë forcërisht nga shtëpia e motrës për t’u kthyer në gjirin familjar. Nën këtë presion, e ndjerë e vetme dhe pa mbështetje, 52-vjeçarja i dha fund jetës, duke u hedhur nga kati i tretë i pallatit pasditen e 4 majit.
Në një intervistë për mediet motra e viktimës, Flutura Kalemaj, ka bërë me dije se një ditë para ngjarjes motra e saj kishte shkuar tek ajo për t’u strehuar. Kalemaj ka treguar se 52-vjeçarja dhunohej jo vetëm nga bashkëshorti, por nga e gjithë familja e tij. Ajo shprehet se motra e saj ka shkuar tek ajo me dhëmbë të thyer e me flokë të shkulura.
“E rrihte burri, vjehrri, kunata, vjehrra. Vjehrra me vjehrrin e kapën nga flokët në një rast dhe e kishin marrë zvarrë. Në një rast tjetër burri i theu dhëmbët. Në një rast tjetër motra e burrit, kunata e kishte përplasur në tokë dhe i motrës i kishte rënë të fikët. Kishte 30 vite e martuar dhe që dhunohej. Ata e dhunonin sepse nuk e donin se ishte çame. Një vit motra ka fjetur në tokë, nuk e linte vjehrra, i thoshte burrit të saj ‘pse e more çame’. Më erdhi para disa ditësh, ishte bërë e verdhë, e kishin lënë pa ngrënë. I dhashë bukë, e mori veten. I erdhi çuni i tha hajde në shtëpi. Motra nuk donte të shkonte, i tha nuk vij. Unë isha në gjumë, ajo kishte ikur. Erdhi pas 2 orësh, kishte marrë rrobat. E kishte vendosur që do ndahej. Më thoshte o ndahem o vras veten”, thotë ajo.
Policia deklaroi se motivi i vetëvrasjes ishte “depresioni”, por motra e 52-vjeçares tregon se ajo nuk ishte në depresion.
“Ajo ishte shumë mirë e qetë, nëse do ishte me depresion, do më kishte thënë. Nuk kurohej për depresion. Por policia nuk mori masa dhe ajo bëri këtë veprim”, tha ajo.