Ministrja e Shtetit për Marrëdhënien me Parlamentin, Elisa Spiropali ka reaguar për vendimin e marrë në Këshillin Kombëtar të PD-së të organizuar nga Komisioni i Rithemelimit, ku i vendoset kusht mazhorancës për zgjedhjen e Presidentit të ri.
Sipas një rezolute të miratuar nga ky Këshill Kombëtar, Komisioni i Rithemelimit do pranojë të hyjë në negociata me mazhorancën nëse përzgjidhen kandidatë nga opozita.
Në cilësinë e një prej përfaqësuesve të mazhorancës në zgjedhjen e Presidentit të ri, ministrja Spiropali shkruan se Grupi Parlamentar socialist nuk njeh asnjë vendim të asnjë instance që buron nga një person non-grata nga SHBA.
“Nëse është e vërtetë që Saliu paska mbledhur një kuvend për të vendosur kusht që hyjnë në negociata për Presidentin e ri vetëm nëse pranohet kandidati i tyre, atëherë ngushëllime kuvendarëve në fjalë dhe një kujtesë nga ana jonë: Grupi Parlamentar Socialist nuk njeh asnjë vendim të asnjë instance që buron nga shkulmi anti-amerikan i një personazhi të listës së zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe nuk ka ndërmend të ketë asnjë kontakt me atë burim të së keqes për Shqipërinë”. shkruan Spiropali.