Doda kërkon mbajtjen e një seance përkujtimore për viktimat e gjenocidit të shqiptarëve të Çamërisë

Shqipëria

Doda kërkon mbajtjen e një seance përkujtimore për viktimat e gjenocidit të shqiptarëve të Çamërisë

Më: 11 maj 2022 Në ora: 16:06
Mesila Doda

Deputetja shqiptare e Grupi Parlamentar Demokraci dhe Integrim, Mesila Doda kërkoi sot në konferencën e kryetarëve, mbajtjen e një seance përkujtimore më 27 qershor në Kuvendin e Shqipërisë për viktimat e gjenocidit të shqiptarëve të Çamërisë.

Sot në konferencën e kryetarëve nisur nga diskutimi lidhur me projekt-rezolutën e paraqitur në Parlament për gjenocidin në Bosnje Hercegovinë, Mesila Doda, kërkoi zyrtarisht që Kuvendi i Shqipërisë më së pari duhet të nderojë viktimat e shqiptarëve të Çamërisë.

“Nuk kam asnjë problem që ne të shprehemi lidhur me aktet gjenocidiale të ndodhura në vendet e rajonit, por nisur nga kjo iniciativë do mendoja që duhet më së pari të nderojmë historinë tonë. Ka një vendim të Parlamentit të Shqipërisë të vitit 1994 që e shpall 27 qershorin ditën përkujtimore të gjenocidit mbi shqiptarët e Çamërisë”, ka thënë Doda.

“Sot i kërkoj zyrtarisht kësaj konference që Parlamenti shqiptar të mbajë një seancë përkujtimore për këtë popullsi martire, duke dhënë edhe shenjën e nderimit të historisë tonë dhe viktimave të pafajshme. Pres që ky të jetë një hap që do i bashkojë të gjitha forcat politike në një seancë në nderim të historisë tonë dhe përkujtimit të viktimave”, shprehet ajo.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat