Përpunuesit e qumështit do të përballen sërish me rritje të kostove të prodhimit për shkak të shtrenjtimit të lëndës të parë në tregjet ndërkombëtare.
Prej fillimit të muajit qershor fabrikat e qumështit do ta blejnë 25% më shtrenjtë plastikën. Çmimet e materialeve paketuese të plastikës prej korrikut të vitit të kaluar deri në muajin shkurt janë shtrenjtuar 50%.
Prej muajsh operatorët e tregut po përballen edhe me shtrenjtim 30-50% të qumështit që blejnë nga fermeri, për shkak të rritjes së kostos të mbajtjes së bagëtive.
Për shkak të rritjes të plastikës, e lajmëruar në fillim të muajit maj nga furnitorët e huaj, edhe përpunuesit paralajmërojnë se mund të jenë të detyruar të rishikojnë çmimet për produkte si gjiza, djathi dhe gjalpi, ndërsa për çmimin e qumështit dhe të kosit kostot do të amortizohen te fitimet e tyre.
Drejtori i ekzekutiv i Shoqatës Industria e Përpunimit të Qumështit, Donjaldo Hoxha tha për “Monitor” se paralajmërimi për shtrenjtimin e plastikës do të rëndojë edhe më shumë situatën te fabrikat e qumështit që po vuajnë kostot e shtuara nga shtrenjtimi i energjisë, naftës dhe çmimit të lartë të qumështit që blihet nga fermeri.