Deputeti demokrat, Agron Shehaj, dhe ai socialist Damian Gjiknuri kanë shkëmbyer replika dhe akuza në rrjetet sociale.
Fillimisht ishte Shehaj që denoncoi se pas resortit me 5 yje të Xhaçkës, Rama i jep një pjesë të parkut të Butrintit familjarëve të ish-ministrit Gjiknuri, aktualisht numri 2 i Partisë Socialiste.
"Qeveria vazhdon favoret korruptive për ministrat, ish ministrat dhe të afërmit e tyre. Vendimi më i fundit i Komitetit të Investimeve Strategjike, që kryesohet nga Edi Rama është dhënia e statusit të investitorit strategjik për “Manastir Resort”. 50% e Kompanisë që përfitoi statusin e investitorit strategjik zotërohet kompania ANDI. Kompania Andi zotërohet nga djali i xhaxhait të ish-ministrit të infrastrukturës Damian Gjiknuri, sot sekretar i përgjithshëm i Partisë Socialiste.
Pra gjysma e resortit që përfitoi nga qeveria statusin e investitorit strategjik dhe lehtësirat që të ofron ky status zotërohet nga njerëzit e afërt të Damian Gjiknurit. Por nuk është vetëm ky problemi.Resorti “Manastir Resort” do të ndërtohet pranë parkut arkeologjik të Butrinit. Pak kohë më parë qeveria e zvogëloi parkun duke nxjerrë 800 hektarë nga zona e mbrojtur, pikërisht që aty të ndërtonte resorti kushëriri i Damian Gjiknurit".
Sipas Shehaj, kjo qeveri është kampione e korrupsionit, ndërsa ligji i investimeve strategjike është instrumenti korruptiv përmes të cilit ajo po grabit tokat e bregdetit.
Ai i bëri thirrje SPAK të nisë urgjentisht hetimet për këtë aferë të neveritshme në mënyrë që shqiptarët të mos grabiten nga qeveria dhe zyrtarët e Partisë Socialiste.
Në përgjigje, sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri, thotë se nuk i mohon të afërmit siç ka shembuj në partinë e tij, por ama nuk mund të pranojë që çdokush që mban mbiemrin Gjiknuri dhe që merret me biznes duhet të jetë automatikisht djali i xhaxhait të tij.
"E siguroj deputetin Agron Shehaj se unë nuk jam si ata të partisë së tij që mohuan baxhanakun e ndjerë në Gërdec. Nuk kam ama se si të pranoj që çdokush që mban mbiemrin Gjiknuri dhe që merret me biznes duhet të jetë automatikisht djali i xhaxhait tim. Çdokush mban përgjegjësi e përgjigjet për ato që bën. Le ta provojë gjykata e do ta mbaj unë përgjegjësinë, por nëse unë nuk e kam djalë xhaxhai personin e përgojuar nga Agron Shehaj, atëhere Agroni duhet të më dëmshpërblejë për cënim të qëllimshëm të imazhit!"