Një burrë në Divjakë është zhdukur në rrethana të mistershme dhe gruaja e tij dëshpërimisht kërkon ndihmën e policisë për gjetjen e tij.
Zyrtarë policorë në Komisariatin e Policisë Divjakë, thanë për noa.al se burri rezulton të jetë zhdukur që më 1 maj 2022.
Ditën e djeshme 14 maj, ka bërë kallëzim shtetasja Th. S., 49 vjeçe, banuese në fshatin Bregas.
Ajo thotë se bashkëshorti i saj, shtetasi Velo Sefa, 49 vjeç, është larguar nga banesa në datë 01.05.2022 dhe nuk është kthyer më.
Nuk është e qartë përse gruaja ka denoncuar zhdukjen e të shoqit vetëm pasi kanë kaluar dy javë. Policia tha se po punohet për gjetjen e 49-vjeçarit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.