Kryesia e Partisë Socialiste ka propozuar ditën e sotme emrin, i cili do të marrë postin e Presidentit pas mbarimit të mandatit të kreut aktual të shtetit, Ilir Meta më 24 korrik. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Bajram Begaj është emri i propozuar nga Partia Socialiste për të marrë postin e Presidentit të ri.
Begaj mban gradën “gjeneralmajor”, vendim të cilën e ka dekretuar Presidenti Ilir Meta në 3 korrik të vitit 2020.
Në atë kohë, Presidenti Ilir Meta, dekretoi dhënien e gradës madhore “Gjeneral Major” për Gjeneral Brigade Bajram Rushit Begaj, me detyrë “Komandant i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes”.
Gjeneral Major Bajram Begaj, ka lindur në datë 20.03.1967, në Rrogozhinë.
Ka përfunduar studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Degën Mjekësi e Përgjithshme në vitin 1989 dhe është titulluar oficer aktiv në specialitetin ‘Mjekësi” në vitin 1998.
Gjatë karrierës së tij ushtarake ka kryer:
“Kursin e Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen”, në Shqipëri;
“Shkollën e thelluar pasuniversitare të mjekësisë”, në Shqipëri;
“Specializimin Pasuniversitar në profilin Gastrohepatologji”, në Shqipëri;
“Kursin e menaxhimit spitalor” dhe “Kursin e lidershipit mjekësor strategjik”, në SHBA;
“Specializimin në fushën e mjekësisë” dhe “Kursin e Shëndetësisë”, në Greqi.
Gjeneral Major Bajram Rushit Begaj, ka përfunduar “Doktoraturën në Fushën e Mjekësisë”, në Shqipëri si dhe mban titullin “Profesor i Asociuar” në Mjekësi.
Ai ka kryer detyra të ndryshme si:
Komandant i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes,
Shef i Njësisë Mjekësore Ushtarake dhe Zëvendësdrejtor Ushtarak i SUT,
Drejtor i Spitalit Ushtarak,
Drejtor i Inspektoriatit Shëndetësor dhe Kryeinspektor dhe Këshilltar i Inspektoriatit Shëndetësor, në Shtabin e Përgjithshëm Ushtarak Qendror Universitar, si dhe detyra të tjera në strukturat e Forcave të Armatosura.
Kryeministri Edi Rama njoftoi pas mbledhjes së Kryesisë së PS-së, se mazhoranca propozoi emrin e Bajram Begës për të marrë postin e Presidentit të ri.
Menjëherë pas njoftimit të kreut të qeverisë, ka reaguar dhe Bajram Begaj i cili ka pranuar propozimin e Ramës.