Ministri Çuçi me homologen italiane: Sot punojmë bashkë për të goditur krimin në çdo hallkë

Shqipëria

Ministri Çuçi me homologen italiane: Sot punojmë bashkë për të goditur krimin në çdo hallkë

Më: 7 qershor 2022 Në ora: 14:04
Foto nga takimi

Në javën e festës së Republikës së Italisë, këtë të martë kremtohet në Tiranë edhe 25 vjetori nga nënshkrimi i Protokollit të Mirëkuptimit mes dy shteteve në Fushën e Sigurisë.

Ministri i Brendshëm Bledi Çuçi në një postim në rrjetet sociale, thekson se “dikur ne eksportonim pasiguri për fqinjin përtej Adriatikut, mjafton të kujtojmë gomonet që niseshin nga brigjet tona me emigrantë”.

Ndërsa sot 25 vite më pas, “ne punojmë së bashku për të parandaluar dhe goditur krimin në çdo hallkë e formë që shfaqet dhe bashkërendojmë përpjekjet për të adresuar sfidat në fushën e rendit dhe sigurisë”.

“Faleminderit Italisë dhe çdo punonjësi policie që ka kontribuar në një formë apo në një tjetër për rritjen e sigurisë në Shqipëri dhe trajnimin e efektivëve. Kemi përgjegjësi të jashtëzakonshme që këtë miqësi e bashkëpunim ta zhvillojmë edhe më tej, duke qenë gjithmonë në lartësinë e pritshmërive të dy popujve tanë”, shkruan Çuçi në postimin e tij.

Më herët, Çuçi është takuar me homologen italiane, Luciana Lamorgese, e cila është në Tiranë për një vizitë zyrtare me rastin e 25 vjetorit të nënshkrimit të Protokollit të Mirëkuptimit Shqipëri-Itali në Fushën e Sigurisë.

“Ndryshe nga çerek shekulli më parë kur Shqipëria përjetoi kolapsin e vitit të mbrapshtë 1997 sot kemi arritur të krijojmë besim të fortë dhe respekt reciprok teksa vijojmë të qëndrojmë krah njëri-tjetrit dhe frontalisht të vendosur kundër krimit”, shkruan ministri i Brendshëm shqiptar.

“E falënderova për mbështetjen maksimale që Italia ka dhënë vazhdimisht për forcat tona të Policisë, si dhe vlerësova bashkëpunimin e ngushtë në drejtim të ngritjes dhe funksionimit të skuadrave të përbashkëta hetimore dhe operacioneve policore prej të cilave kemi pasur rezultate impresionuese. 30 operacione të përbashkëta përgjatë vitit 2021 dhe 9 operacione vetëm në pesë muajt e parë të këtij viti janë dukshëm një punë shumë domethënëse për një të ardhme të sigurt për qytetarët tanë.

E njoha gjithashtu ministren Lamorgese me punën që kemi nisur për transformimin rrënjësor të Akademisë tonë të Sigurisë, me një riorganizim total dhe programe edukimi të modernizuara sipas standardeve më të mira bashkëkohore. Dy vendet tona kanë një marrëdhënie speciale dhe bashkëpunimi dypalësh është shumë më i zgjeruar dhe më i ngushtë nga sa parashikojnë marrëveshjet, memorandumet apo protokollet”, shkruan ministri Cuci.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat