Marrëveshja e prishur për drogën, pista e hetimit për ekzekutimin e Aleksandër Sadikajt

Shqipëria

Marrëveshja e prishur për drogën, pista e hetimit për ekzekutimin e Aleksandër Sadikajt

Më: 13 qershor 2022 Në ora: 17:35
Aleksandër Sadikaj

Vrasësi i Aleksandër Sadikajt dyshohet se fshihet në rrethin e të njohurve të tij. Në këtë konkluzion ka mbërritur policia e Tiranës nga analizimi i rrethanave të ngjarjes dhe dëshmive të grumbulluara.

Nga pyetja e familjarëve dhe miqve të 27-vjeçarit Aleksandër Sadikaj, Policia e Tiranës ka mundur të ndërtojë një hartë të lëvizjeve të viktimës ditët e fundit.

Rezulton se në datën 8 dhe 9 ai ka qenë në Memaliaj tek biznesi i tij dhe më pas mbrëmjen e datës 9 qershor deri ditën e ngjarjes ka qenë në Tiranë. Referuar kamerave të sigurisë rezulton se në orën 13:20 ai ka dalë nga banesa në Sauk të vjetër dhe vetëm 5 minuta më vonë në mjetin e tij është aktivizuar lënda plasëse që i solli vdekjen.

Ekspertët dyshojnë se lënda plasëse, rreth 500 gr., është vendosur poshtë sendiles së shoferit. Policia ka sekuestruar dhjetëra kamera sigurie në Memaliaj, Sauk të vjetër e zonës së Komunës së Parisit ku mjeti ka qenë i parkuar së fundmi për të zbuluar autorët.

Nga të dhëna operative policia ka mësuar se ditën e ngjarjes dy persona kanë qëndruar disa orë në mbikalimin e Saukut dhe dyshohet se kanë qenë ata që kanë aktivizuar eksplozivin në distancë.

Deri tani pista më e fortë hetimore është ajo e konflikteve për shkak të trafikut të drogës ku dyshohet se viktima ka prishur një marrëveshje.

Policia ka ushtruar kontroll në banesën e marrë me qera në zonën e Saukut të vjetër ku ka sekuestruar një jelek antiplumb dhe disa plumba pistolete.

Kujtojmë që në mjetin i cili shpërtheu me eksploziv policia sekuestroi një pistoletë që dyshohet se i përket viktimës.

Vrasja e Aleksandër Sadikajt është e 17-ta e ndodhur në Shqipëri gjatë këtij viti. Katër nga vrasjet janë shënuar në Tiranë ku tre janë ende pa autor, shkruan Top Channel.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat