“Kemi dhënë 114 mld lekë për organet e drejtësisë”/ Ministri Manja: SPAK e BKH dhanë rezultate të prekshme!

Shqipëria

“Kemi dhënë 114 mld lekë për organet e drejtësisë”/ Ministri Manja: SPAK e BKH dhanë rezultate të prekshme!

Më: 13 qershor 2022 Në ora: 18:44
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja

Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja deklaroi se qeveria shqiptare ka shpenzuar 114 miliardë lekë për organet e reja të drejtësisë gjatë periudhës 2016-2022.

Në fjalën e tij gjatë konferencës së parë kombëtare antikorrupsion, Manja tha se faza e parë e reformës në drejtësi është përmbyllur me sukses.

Tashmë, ka nisur faza e dytë, ajo e rezultateve të para teksa preku procesin e vetingut. Sipas ministrit, 60% e magjistratëve kanë kaluar filtrat e vetingut.

Ndërsa për SPAK dhe BKH, Manja tha se kanë dhënë rezultate duke hetuar zyrtarë të lartë të qeverisë.

“Si ministër i drejtësisë, jam shumë krenar sot që më jepet mundësia të ndajë disa arritje të reformës në sistemin e drejtësisë në të parën konferencë kombëtare antikorrupsion. Sot jemi në këtë konferencë për të prezantuar planin e luftës antikorrupsion, por për të ndarë arritjet tona konkrete. Falë vullnetit tonë politik për të mbështetur reformën në drejtësi, por dhe mbështetjes së vazhdueshme të SHBA-së.

 Si e shoh unë reformën në drejtësi, konstatoj që faza e parë, ajo e ngritjes dhe funksionalitetit është e përfunduar. Kemi hyrë në fazën e dytë, konsolidimi i reformës në drejtësi. Rezultati i parë i kësaj reforme, është vetingu. 60% e magjistratëve kanë kaluar filtrat e vetingut. Gati 60%, ose janë shkarkuar, ose janë dorëhequr.

Në këtë fazë të parë të reformës, është vendosur ngritja e një arkitekture të funksionimit të sistemit të drejtësisë. Pasi të mbarojë vetingu, sot KLP dhe KLGJ dhe ILD janë mekanizmat e duhura, që sistemi të mos bjerë më në sistemin ku ishte. Së treti, dua të vendos në dukje funksionimin e SPAK. SPAK dhe BKH, sot që flasim, ka dhënë rezultatet e para të prekshme. E theksoi dhe kryeministri, ishte e paimagjinueshme pak kohë më parë. Sot SPAK ka 17 prokurorë, BKH ka 28 hetues që janë emëruar, dhe janë një garanci që lufta kundër korrupsionit garanton sukses.

Për periudhën 2016-2022, qeveria shqiptare ka buxhetuar organet e reja të sistemit të drejtësisë me 114 miliardë lekë, dhe nuk llogaris mbështetjen që kanë dhënë donatorët tanë në këtë proces, SHBA. Reforma në drejtësi ka garantuar mekanizmat e duhura që sistemi i drejtësisë të garantojë një luftë kundër korru;psionit. Jemi të gatshëm që ne të buxhetojmë shtimin e numrit të prokurorëve” – tha Manja.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat