Komisioni i Reformës Administrativo-Territoriale ka përcaktuar dje listën e gjatë ekspertëve, institucioneve dhe organizatave që do të thirren për të dhënë mendimin për ecurinë e Reformës ekzistuese të bërë 8 vite më parë.
Të parët që do “dëshmojnë” do jenë 12 organizatat e shoqërisë civile javën e ardhshme dhe pas tyre kryetarët aktualë të 7 bashkive, ish-kryetarë, përfaqësues institucionesh shtetërore dhe ekspertë sipas planit të veprimit, që u dakordësua mes palëve. PS-ja caktoi në rolin e eskpertëve teknikë dy ish-kryetarë bashkish, znj. Adelina Farici ish-kryetare e Bashkisë Burrel dhe z. Artan Shkëmbi, ish-kryetar i Bashkisë Pogradec. PD-ja, nga ana e saj përcaktoi dy ekspertët Roland Bejko dhe Agron Haxhimali. 4 ekspertët do të kenë barrën kryesore të dhënies së mendimeve dhe orientimeve për mënyrën se si duhet të organizohet ndarja e re administrativo-territoriale përpara se partitë politike të marrin vendimin e tyre.
7 BASHKI
Pjesë e grupeve që do të japin mendime për Reformën e re Territoriale do jenë edhe 7 bashki. Kryetarët e këtyre 7 bashkive do të raportojnë përballë anëtarëve të Komisionit të Reformës për efektin e ndarjes administrative të 2014 dhe zbatueshmërinë e saj në shumë dimensione, nga shërbimet deri te buxheti. Bashkëkryetarja e PS-së në Komision, Anila Denaj, tha se janë përzgjedhur bashki të mëdha, mesatare dhe të vogla, në mënyrë që të kuptojmë efektin e reformës në të gjitha dimensionet e saj. “Ne kemi ftuar 6 organizata të shoqërisë civile. Instituti i Politikave Publike dhe Private, Instituti i kërkimeve Urbane. Institucionet që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me reformën dhe zbatimin e saj, Ministrinë e Brendshme, Ministrinë Financave dhe Ekonomisë dhe Akademinë e Shkencave.
Gjithashtu, kemi menduar që kjo nuk mund të jetë një tryezë ku nuk dëgjohen bashkitë, ato që janë aktorët kryesorë dhe për këtë arsye kemi ftuar 6 bashki. Bashkia Tiranë, Erion Veliaj; Bashkia Lushnje, Eriselda Sefa; Bashkia Elbasan, Gledian Llatja; Bashkia Kolonjë, Erion Isai; Bashkia Lezhë, Pjerin Ndreu; Bashkia Dimal, Juljana Memaj”, tha Denaj. Për t’i bërë ballë një “armate” të tërë kryebashkiakësh nga mazhoranca, opozita, në mungesë të tyre, ka ndërmarrë një hap për baraspeshim, duke kërkuar një numër të lartë ekspertësh, figurash publike dhe ish-kryetarë bashkish.
Bashkëkryetarja e PD-së në Komision, Dhurata Çupi, bëri të ditur listën e institucioneve pjesë e së cilës është kryetari i Bashkisë së Shkodrës Bardh Spahia, i zgjedhur më 6 mars si kandidat i “Shtëpisë së Lirisë” e ish-Kryeministri Sali Berisha. Po ashtu, pjesë e listës është KLSH-ja, Artan Fuga, Mateo Spaho, Agron Kapllanaj apo Njazi Kosovrasti.
“Nga institucionet propozoj KLSH-në, Departamentin e Auditimit të Performancës dhe Bashkia Shkodër, Bardh Spahia. Organizata ‘CoPlan’, Instituti i Kërkimeve Urbane, Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim, Qendra për Kërkim dhe Zhvillim Rural. Artan Hoxha, Valbona Karakaçi, Artan Fuga anëtar i Akademisë së Shkencave, Romeo Gurakuqi, Mateo Spaho, dekan i Fakultetit Ekonomik, Universiteti ‘Luarasi’, Ervis Iljazi, Agron Kapllanaj, Tahsim Mema, Njazi Kosovrasti, Ilir Kalemaj”, tha Çupi.
Deputeti i PD-së, Xhelal Mziu, propozoi që pjesë e institucioneve në seanca dëgjimore të jetë edhe INSTAT-i, por kërkoi që të shihen praktikat më të mira në rajon për një reformë gjithëpërfshirëse. Anila Denaj pranoi propozimet, por u shpreh se: “Eksperiencën e vendeve të tjera ta marrim përmes eksperteve, që janë të afte të na sjellin të dhenat. Do na thonë ekspertë për një dëgjesë me INSTAT-in”. Po ashtu, PBDNJ-ja kërkoi që të pyetesh dhe merrej mendim nga Bashkimi Demokratik i Minoritetit Etnik Grek, (Omonia) dhe Vasil Bollano ish-kryetar i Bashkisë Himarë.
EKSPERTËT
Partia Socialiste
Adelina Farrici
Artan Shkëmbi
Partia Demokratike
Agron Haxhimali
Roland Bejko
7 KRYETARËT E BASHKIVE
Partia Socialiste
Bashkia Tiranë, Erion Veliaj
Bashkia Lushnje, Eriselda Sefa
Bashkia Elbasan, Gledian Llatja
Bashkia Kolonjë, Erion Isai
Bashkia Lezhë, Pjerin Ndreu
Bashkia Dimal, Juljana Memaj
Partia Demokratike
Bashkia Shkodër, Bardh Spahia