Një skemë zhvatjeje e cilësoi gazetari Mentor Kikia skandalin e inceneratorëve, për të cilin LSI bëri dje të ditura fakte të reja.
Kikia tha se skandali ka një përmasë të re: bashkëpunimin e kompanive të përfshira në projektet infrastrukturore dhe përdorimin prej tyre të të njëjtit mekanizëm me të cilin janë tejfryrë kostot për ndërtimin e rrugëve.
“Skandali i denoncuar nga LSI është shumëdimensional. Edhe pse është denoncuar dhe flitet për evazion fiskal, është shumë më tepër se kaq. Këtu kemi të bëjmë me zhvatje. Është një grup i stërmadh kriminal, i organizuar me një skemë të qartë. Deri tani çështja është përqendruar te inceneratorët sepse ata janë patatja e nxehtë. Por dje zyrtarët e LSI përmendën një fakt tjetër që hap një tjetër përmasë skandali: me këtë rrjet kompanish kishin bashkëpunuar kompani të tjera që fitojnë tendera për infrastrukturën.
Këto rezultojnë të jenë përdoruese të këtij mekanizmi për të fryrë kostot. Kompanitë kanë rritur kostot për ndërtimin e rrugëve. Këtu vijmë te një problem me të cilin ne përballemi shpesh: kostot e tejfryra. Nëse ekzistojnë fakte edhe për këtë, jemi përpara një hiperskandali dhe prokuroria duhet të hetojë.”, u shpreh Kikia.