Skenarët e protestës së thirrur nga Sali Berisha mbahen sekret nga grupi organizator, por pak orë para se protestuesit të mblidhen poshtë zyrës së Edi Ramë, në kryeministri po kryhen punë të shpejta.
Dera e kryeministrisë është fortifikuar, ndërkohë masa u morën edhe për një marrshim të mundshëm drejt godinës së Parlamentit, i cili njoftoi se ka një rend dite të gjatë dhe seancë plenare kap edhe orët e pasdites.
Vetë Sali Berisha la të hapur çdo skenar.
“Gjithnjë protesta ka skenarin e vet. E rëndësishme është që ne të japim mesazhin tonë të fuqishëm se shqiptarët nuk do ta tolerojnë më këtë regjim, i cili s’meriton të ekzistojë absolutisht as edhe një ditë të vetme”, tha Sali Berisha.
Kjo është protesta e parë kombëtare e thirrur nga Sali Berisha, që kërkon të largojë Edi Ramën nga pushteti përmes rrugës.
“Kjo është protesta që inauguron procesin e largimit të Edi Ramës nga pushteti. Ç’ka do të thotë se protestat ndalen vetëm atëherë kur realizojnë qëllimin madhor”, tha Sali Berisha.
Tubimi i thirrur nga Sali Berisha bëri që Ambasada Amerikanë tu kërkoi qytetarëve të saj të bëjnë kujdes dhe të rrinë larg zonës ku mbahet protesta, pasi ajo mund të mund të jete e dhunshme.