Zhupa: PD në krah të gazetarëve, Edi Rama po cenon fjalën e lirë

Shqipëria

Zhupa: PD në krah të gazetarëve, Edi Rama po cenon fjalën e lirë

Më: 9 korrik 2022 Në ora: 08:03
Ina Zhupa

Partia Demokratike përshëndet reagimin e OSBE për Lirinë e Medias, të publikuar dje pak para protestës së 7 korrikut. Theksi që OSBE vendos mbi të drejtën e gazetarëve për të kërkuar, marrë dhe ndarë informacionin që kanë zyrtarët publikë, është sipas PD mesazh i hapur alarmi pas shkeljeve të fundit brutale të lirisë së gazetarëve nga kryeministri Rama.

“Partia Demokratike ka denoncuar pa ndërprerje, dhe do ta vazhdojë te denoncojë kundërvajtjet seriale të këtij armiku të lirisë së shtypit dhe gazetarëve të pavarur në Shqipëri. Ne vëmë theksin te rëndësia e reagimeve të tilla dhe u bëjmë thirrje të bëjnë të njëjtën gjë dhe organizatat e tjera ndërkombëtare. Edi Rama luan në Shqipëri mikun e ndërkombëtarëve, por miqtë e vendit tonë nuk duhet të lejojnë që, në emrin e tyre të flasë dikush që ia nxin faqen si atyre, ashtu edhe Shqipërisë. Pika e fundit e deklaratës së OSBE, është gjithashtu e rëndësishme: Nuk ka siguri pa liri të medias. Ne theksojmë se pa liri të medias nuk ka siguri, transparencë dhe as votë të lirë. Edi Rama i ka cenuar të gjithë këta përbërës të demokracisë dhe për këtë nuk duhet heshtur. Partia Demokratike përshëndet edhe njëherë qëndrimin e OSBE, dhe u bën me dije gazetarëve se do të jetë në krah të tyre, dhe kundër të gjithë kërcënuesve të lirisë së medias”, tha Zhupa.

Pak ditë më parë në një konferencë të përbashkët për shtyp me ministren e Jashtme Olta Xhaçka, gazetari pyeti këtë të fundit nëse e ka takuar bashkëshortin e saj, investitor strategjik, në prani të dy anëtarëve të administratës, siç e parashikon kodi i ri etik apo e ka thyer kodin e ri i cili parashikon sanksione deri në largim nga puna.

Kjo për kreun e qeverisë u cilësua si shkelje etikës, dhe çoi gazetari për ‘3 muaj në riedukim’. Vendimi për pezullimin e gazetarit nga konferencat për tre muaj nuk u prit mirë nga aktivistët dhe të tjerë gazetarë të cilët një ditë më parë u ngritën në protestë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat