Ligji i ri “Për mbrojtjen e të dhënave personale” u ndalon partive politike që të përdorin të dhënat e shqiptarëve. Duke u nisur nga skandali i “patronazhistëve” me rregullimin e ligjit të ri partitë politike nuk e kanë më “kënaqësinë” që të përdorin të dhënat, përveçse të anëtarëve të tyre.
“Me kusht që të zbatohen masa të përshtatshme për mbrojtjen e të drejtave themelore dhe interesave të subjekteve të të dhënave, lejohet përpunimi i të dhënave sensitive në rastet kur: është i nevojshëm për veprimtarinë e ligjshme të organizatave jofitimprurëse politike, filozofike, fetare dhe sindikaliste, me kusht që përpunimi të lidhet vetëm me anëtarët ose ish-anëtarët e organizatës ose me persona që kanë kontakte të rregullta me të në kuadër të veprimtarisë së saj, si dhe që të dhënat personale të mos përhapen jashtë organizatës pa pëlqimin e subjekteve të të dhënave”, thuhet në nenin 9, pika 2 shkronja d e projektligjit.
Ndërkohë që ligji parashikon edhe gjoba shumë më të mëdha për shkelësit. Një gjobë e madhe që shkon deri në 2 miliardë lekësh, ose deri në 4% të xhiros totale vjetore të përgjithshme për vitin financiar paraardhës në rastin e ndërmarrjeve, është për të gjitha ata që nuk respektojnë vendimet e Komisionerit për Mbrojtjen e të dhënave apo refuzojnë bashkëpunimin me të.
“Shkelja e detyrimit për bashkëpunim apo e çdo akti të Komisionerit, sipas paragrafit 1 të nenit 85, moszbatimi i një urdhri, apo kufizimi të përkohshëm ose përfundimtar të përpunimit, ose, pezullimi të shkëmbimit të të dhënave, i nxjerrë nga Komisioneri në përputhje me gërmën b) të paragrafit 2 të nenit 85, duke marrë parasysh edhe faktorët e përcaktuar në paragrafin 2 të këtij neni, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë deri në 2 000 000 000 lekë, ose në rastin e një ndërmarrjeje, deri në 4% të xhiros totale vjetore globale për vitin financiar paraardhës, cilado që është më e lartë”, thuhet në projektligj.