Yuri Kim “mesazh” Ramës dhe të korruptuarve

Shqipëria

Yuri Kim “mesazh” Ramës dhe të korruptuarve

Më: 16 korrik 2022 Në ora: 12:34
Ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim

Ambasadorja amerikane në Shqipëri, Yuri Kim u ka drejtuar nje mesazh gazetarëve, referuar rasteve kur kryeministri Edi Rama refuzon t’i përgjigjet pyetjeve të tyre, madje i dërgon ata për riedukim.

Gjatë ceremonisë së diplomimit të studentëve të Laboratorit të Gazetarisë Investiguese, Kim u shpreh se është detyrë e gazetarëve që të bëjnë pyetje.

Sipas Kim, çdo zyrtar duhet t’i përgjigjet gazetarëve, edhe nëse nuk i pëlqen pyetja e drejtuar, ndërsa shtoi se duhet ta përsërisnin pyetjen derisa të merrnin një përgjigje. Pra indirekt, ambasadorja Kim ka fshikulluar kryeministrin Rama, i cili herë pas here ka pasur fërkime me gazetarët, duke ja bërë të qartë se gazetarët janë të të drejtën e tyre të bëjnë pyetje dhe kërkojnë shpjegime.

“Mirëmëngjes të gjithëve. Urime për arritjet tuaja në programin e Laboratorit të Gazetarisë Investiguese. Shpresoj se keni mësuar se si të jeni vëzhgues më të mirë dhe shpresoj t’ju shoh në terren duke zbatuar ato që keni mësuar – duke i kërkuar llogari autoriteteve qeveritare, duke hedhur dritë mbi informacione që disa njerëz përpiqen t’i fshehin dhe duke ofruar transparencë. Ju nxis që të vazhdoni të mësoni, por edhe të edukoni të tjerët, përfshirë edhe zyrtarët që intervistoni, mbi dy gjëra të rëndësishme: se është detyra juaj të bëni pyetje të vështira dhe se është detyra e tyre të japin përgjigje. Është detyra juaj profesionale dhe një shërbim publik të bëni pyetje. Është detyra e zyrtarëve, duan apo nuk duan ata, që t’iu përgjigjen pyetjeve. Nëse zyrtarët nuk u përgjigjen pyetjes tuaj, përsëriteni dhe përsëriteni sërish. Kërkojuni kolegëve tuaj të bëjnë të njëjtën pyetje derisa zyrtarët, pavarësisht se kush janë ata, të përgjigjen. Shpresoj që të vazhdoni të punoni fort për të ndriçuar, edukuar dhe për të qenë rojtarët e së vërtetës që i duhen demokracisë së Shqipërisë”, deklaroi ambasadorja Kim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat