Një turist i identifikuar me inicialet G.S. dyshohet se ka humbur jetën teksa eksploronte “Majën e grykave të hapura” në Valbonë.
Ka qenë një turiste serbe e cila ka lajmëruar policinë e Tropojës duke u shprehur se shtetasi G.S. ka ndërruar jetë si pasojë e një infarkti.
Policia bën të ditur se për shkak të terrenit të thepisur, ulja e helikopterit është e pamundur, teksa në vendngjarje kanë shkuar forcat e kërkim-shpëtimit.
Nuk ka ende një konfirmim zyrtar vdekjen e turistit.
Njoftimi i policisë:
Gjatë paradites, Salla Operative e Tropojës ka marrë njoftim nga një turiste serbe, se në vendin e quajtur “Maja e grykave të hapura”, Valbonë, duke eksploruar zonën me një grup turistësh, njëri prej tyre, shtetasi G. S., kishte ndërruar jetë, dyshohet si pasojë e infarktit.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë, së bashku me ekipin mjekësor të spitalit të Tropojës, janë nisur drejt adresës së dhënë.
Duke qenë se për shkak të terrenit të thepisur, nuk është e mundur ulja e helikopterit, në ndihmë të shërbimeve të Policisë Tropojë janë nisur edhe Forcat e kërkim-shpëtimit të Kosovës, për të bërë të mundur nxjerrjen e turistëve, nga vendi ku janë bllokuar.