Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, deklaron se një kapitull i ri për të ardhmen europiane të Shqipërisë është shkruar sot, me votimin në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut në favor të formulës franceze për zgjidhjen e mosmarrëveshjes RMV-BE.
Falë këtij vendimi, thekson Kryemadhi, por edhe shumë sakrificave që RMV si vend i lidhur me ne në procesin e integrimit, ka kryer për të arritur deri këtu, javës tjetër, Shqipëria më në fund mund të mbajë Konferencën e Parë Ndërqeveritare me Bashkimin Europian.
"Moment i shumëpritur, prej nga ku nuk ka më justifikime, fjalë boshe apo propagandë, por kritere dhe llogaridhënie.Kërkesa me ngulm e LSI ndaj BE ndër vite ka qenë që, edhe me kritikat e institucioneve europiane për mospërmbushjen e kushteve, çelja e negociatave të kryej sa më parë. Duke e konsideruar procesin në vetvete dhe mbikqyrjen e institucioneve të BE, faktor pozitiv në realizimin e shpejtë dhe cilësor të reformave" shprehet ajo.
Kryemadhi nënvizon se si forcë politike europiane dhe konsensusi, kemi propozuar që prej vitit 2020 realizimin e një pakti kombëtar për integrimin, që reformat kryesore të realizohen sa më parë dhe me bashkëpunim ndërpartiak, duke e bërë procesin e integrimit imun ndaj politikës së ditës dhe kritikave për njëri-tjetrin.
"Java tjetër është historike për të ardhmen e Shqipërisë europiane! Mënyra si i qasemi këtij shansi të ri për vendin, mund ta përshpejtojë apo ngadalësojë procesin për vite me radhë. Ndaj është koha që Kuvendi i Shqipërisë, Qeveria dhe e gjithë politika të ngrihet në nivelin e detyrës që ky mision kombëtar kërkon" përfundon Kryemadhi.