Eksperti i ekonomisë, Alban Zusi ka folur në lidhje me amnistinë fiskale.
Në një intervistë për Ora News, me Anila Zyberajn, Zusi tha se nuk njeh emigrant që ka pasur vështirësi për sjelljen e parave në Shqipëri për të bërë investime në vendin tonë.
Më tej ai shtoi se qeveria nuk duhet të nxitohet në lidhje me procesin e amnistisë, pasi mund të krijohen hapësira për pastrimin e parave të krimit.
Alban Zusi: Ka qenë një ekonomi informale për shkak të institucioneve të dobëta, sistemeve fiskale jot ë konsoliduara dhe në këto kushte, bizneset kanë pasur tundimin për të qenë informal. Atëherë ndoshta bën sens edhe një lloj amnistie për këtë kategori të bizneseve. Po ashtu edhe ideja e legalizimit dhe formalizimit të parave të emigrantëve. Unë nuk njoh emigrant që kanë pasur vështirësi për të sjellë paratë e tyre për të investuar këtu.
Duhet të mos nxitohemi për të ecur përpara me një proces amnistie. Nëse ne bëjmë amnisti e cila krijon hapësira për të hyrë paratë e krimit në treg dhe të legalizohen e të krijojnë biznese legale, të cilat nuk kanë për të qenë asgjë tjetër veçse kërpudha për vijëmësinë e pastrimit të parave të krimit, atëherë përsëri kjo amnisti është e padobishme dhe e pamirëpritur për bizneset e ndershme.
Amnistia nuk duhet të ketë vetëm karakter të grumbullimit të parave në arkën e shtetit dhe as nuk duhet të jetë një fenomen thjeshtë për të bërë një kategori të caktuar njerëzish të ndihen të qetë.
Zusi tha se nëse do të ketë emigrantë që do të vijnë në Shqipëri për të legalizuar paratë duhet të hetohen menjëherë.
Alban Zusi: Nuk e besoj se kurrë se do të ketë emigrantë që do të vijnë të legalizojnë 2 milionë euro. Nëse ka emigrant të tillë, pa diskutim që në sekondin e parë ata duhet t’I nënshtrohen hetimit sepse ka shumë pak shanse që një emigrant me punë e me djersë të ketë arritur të bëjë dy milionë euro.