Sulmi kibernetik/ Ristani: Hakerimi si skenar hollivudian! Mund të jetë bërë për rrjedhje të dhënash!

Shqipëria

Sulmi kibernetik/ Ristani: Hakerimi si skenar hollivudian! Mund të jetë bërë për rrjedhje të dhënash!

Më: 18 korrik 2022 Në ora: 16:46
Foto ilustrim

Anëtari i Kryesisë së PD-së, Arben Ristani ka hedhur dyshime mbi sulmin kibernetik që i është bërë sistemit e-albania dhe shërbimeve qeveritare.

Në një deklaratë për mediat, ai tha se pas kësaj, mund të fshihet një rrjedhje e të dhënave personale nga databazat qeveritare. Për këtë rast, Ristani sjell në vëmendje çështjen e patronazhistëve dhe publikimin e rrogave të qytetarëve.

Sipas tij, ky është një precedent i njohur, ndërsa sulmi kibernetik i fundit, mund të përdoret si alibi në të ardhmen.

Ristani ka shtruar edhe një pikëpyetje mbi kompaninë amerikane me të cilën shteti shqiptar firmosi një kontratë në janar të këtij viti, për menaxhimin e sigurisë kibernetike.

Deklarata e Arben Ristanit:

Qeveria ka njoftuar sot për një sulm kibernetik kundër sistemeve qeveritare dhe faqes e-albania. Me gjuhën e një skenari hollivudian, me hakera dhe armiq ndërkombëtarë, duket se qeveria po mundohet të fshehë më shumë se të zbulojë. Më i pabesueshëm bëhet hakerimi po të kujtojmë rekordet thuajse kriminale të qeverisë sa i takon privatësisë së qytetarëve.

Partia Demokratike risjell në vëmendje rastin e patronazhistëve, të cilët kishin në duar të dhëna të qytetarëve shqiptarë, të siguruara përmes të njëjtit sistem, për të cilin sot thonë se është hakeruar. Në një rast të dytë të paprecedent, punonjësit e së njëjtës administratë nxorën të dhëna sensitive të qytetarëve, që nga rrogat, të dhënat personale e me radhë.

Një qeveri që ka një rekord të tillë në trajtimin e bankës së të dhënave të nënshtetasve, duket e pabesueshme kur thotë se ka rënë pre e metodave të veta. Kur të tjerët e trajtojnë ashtu si ajo trajton qytetarët e vet, për shqiptarët kjo nuk përbën lajm, por pazotësi të qeverisë.

Partia Demokratike, duke njohur ‘instrumentet e së keqes’ që përdor Rama, paralajmëron publikun se, pas lajmit për hakerimin mund të fshihen rrjedhje të tjera të databazës dhe të dhëna sensitive publike. Kur kjo të ndodhë, Shefi i Shtabi të Përgjithshëm të Patronazhistëve, do t’ja hedhe fajin hakerimit të bërë nga ‘forca të panjohura’.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat