Presidenti Ilir Meta ditën e sotme ka pritur në takim Ambasadorin e Gjermanisë, Peter Zingraf. Vizita e tij, përkoi me një ditë të shënuar për Shqipërinë, hapjen zyrtare të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Kujtojmë që ambasadorja e Francës në Tiranë, Elizabet Barsacq dhe ambasadori gjerman, Peter Zingraf kanë braktisur konferencën për amnisitinë fiskale në momentin që kreu i qeverisë Edi Rama ka nisur të flasë.
Pas vizitës Meta ka postuar se çfarë diskutoi me ambasadorin e Gjermanisë.
Reagimi nga Ilir Meta:
Një kënaqësi e veçantë të prisja sot në takim Ambasadorin e Gjermanisë, Peter Zingraf. Vizita e tij, përkoi me një ditë të shënuar për Shqipërinë, hapjen zyrtare të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Europian.
Përkrahja dhe mbështetja e Gjermanisë dhe në veçanti e Bundestagut kanë qenë thelbësore në këtë arritje të rëndësishme dhe meritojnë mirënjohje të thellë.
I shpreha Ambasadorit Zingraf vullnetin dhe angazhimin tim të vendosur edhe pas përfundimit të mandatit si President i Republikës, për të përshpejtuar rrugën europiane dhe për forcimin e parreshtur të marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy vendeve tona.