Ish-kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka reaguar pas hapjes së negociatave për vendin tonë që i hap rrugë procesit të Integrimit në Bashkimin Europian.
Basha shkruan se ky është një vendim që përcakton një hap të rëndësishëm për Shqipërinë për të përmbushur një ëndërr të madhe të gjithë shqiptarëve.
Ai shton se hapi i sotëm është një detyrim që nuk mund t’i ikë askush për të përmbushur kriteret në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit apo zbatimit të reformës në drejtësi.
“Vendimi i BE për të nisur negociatat e anëtarësimit me Shqipërinë është një hap që do të mbështesë Shqipërinë në rrugën drejt plotësimit të një ëndrre që e ndajnë të gjithë shqiptarët, anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian.
Hapi i sotëm është edhe një detyrim nga i cili nuk mund te ikë askush, për të përmbushur kriteret në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, zbatimit të reformës në drejtësi, çlirimin e ekonomisë nga monopolet dhe nga oligarkia, konkurrencën e lirë si parakusht i zhvillimit ekonomik që krijon vende pune, reformën në administratën publike, respektimin e lirive dhe të drejtave të nëpërkëmbura të qytetarëve, lirinë e medias e mbi të gjitha garantimin e votës së lirë për shqiptarët.
Kjo është e vetmja rrugë për ta bërë Shqipërinë si Europa”, shkruan Basha.