Analisti Robert Papa, ngritjen e flamurit për çeljen e negociatave para Kryeministrisë në mungesë të opozitës, e cilësoi si jonormale për një njeri si Edi Rama. Ai deklaroi se simbolika duhet parë më tutje.
“Sipër kokës së Ramës vijojnë simbole komuniste nga ata që vranë shqiptarët në 50 vite, një ndër ta është edhe babai i Ramës.
Të pretendosh të hysh në BE kur në fasadën e Kryeministrisë mban simbole komuniste është diçka qesharake. Rama nuk e ka më shumicën, nuk është faji i Ramës që nuk e ftoi opozitën në Bruksel, por është faji i burokratëve të Brukselit që nuk njohin realitetit shqiptar.
Por të thuash sukses për reformën në drejtësi kur krimi është rrugës, është skandaloze. Rama duhet t’iu shpjegoj shqiptarëve se çelja e negociatave nuk do të thotë se hymë në BE është një rrugë shumë e gjatë.
BE nuk sjell prosperitet siç është menduar, natyrisht drejtohet nga një grup burokratësh. Shqiptarët e ëndërrojnë BE, mbi 1 milionë shqiptarë e kanë marrë pasaportën e një vendi të BE, qeveria është shkaktare që nuk jemi atje.
Rama nuk duhet të fryhej në atë mënyrë tek shkallët e Kryeministrisë, kur simbolet e komunizmit janë mbi kokën e tij.”, u shpreh Papa.
Në vijim ai tha se ndërkombëtarët janë gjithmonë me qeverinë, duke kujtuar se më herët janë parë presidentë si Sarkozy që përqafoheshin me Gedafin apo, Mubarak, duke thënë se gjithmonë mbështesin atë që është në pushtet.
Por Papa deklaron se po nuk respektove opozitën, nuk respekton demokracinë dhe shtoi më tej se nuk e vendos Rama se kush është opozita shqiptare.