Pas tensioneve të ashpra, Parlamenti shqiptar miraton rezolutën kundër raportit të Dick Marty-t për Kosovën

Shqipëria

Pas tensioneve të ashpra, Parlamenti shqiptar miraton rezolutën kundër raportit të Dick Marty-t për Kosovën

Më: 21 korrik 2022 Në ora: 08:05 Përditësuar në ora: 11:38 më 21.07.2022
Kuvendi i Shqipërisë

Në mes të debateve dhe tensioneve në Kuvend, ndodh e papritura në seancë

Në kuadër të Ditëve të Hapura disa fëmijë kanë hyrë në sallën e Kuvendit për të ndjekur seancën. Kryeministri Edi Rama po fliste në foltoren e Kuvendit, kur papritur ka ndërprerë fjalën dhe i është drejtuar duke pyetur Nikollën se: Ç’janë këta kalamaj?

Grupi i fëmijëve kanë ardhur të ndjekin nga afër punën në Kuvendin e Shqipërisë.Menjëherë sapo kryeministri e kuptoi qëllimin e vizitës së tyre ka vendosur të lërë në mes fjalën që fëmijët të vazhdojnë me “punën e tyre”.

Ai tha se do e merrte fjalën pasi fëmijët të ishin larguar nga salla e Kuvendit.

“Ça janë këta kalamaj? Nëse këta janë fëmijë e kemi për detyrë t’i respektojmë ata? Fëmijë i pashë po thashë se mos për shembull gabimisht janë futur në sallë. Unë po e ndërpres këtu dhe do vazhdoj kur të mbarojnë fëmijët”,- tha Rama.

Rezoluta kundër raportit të Martyt/ Basha i përgjigjet ‘flakë për flakë’ Ramës

Ish-kryedemokrati Lulzim Basha i është përgjigjur deklaratës së kryeministrit Edi Rama në parlament në lidhje me projektrezolutën për të dënuar gjenocidin serb në Kosovë.

Basha tha se sado që Rama të fshihet pas gjuhës që përdor në parlament nuk mund të bëjë amnisti ndaj të shkuarës, pasi sipas tij ajo rrezikon të përsëritet nëse nuk dënohet.

“Shqipëria nuk mund të ketë interes më të lartë dhe asgjë më të shenjtë se interesi i Kosovës. Nuk do të ketë bashkëpunim të qëndrueshëm rajonalë pa dënuar gjenocidin serb. Ndër vite ka pasur përpjekje për të manipuluar faktet dhe për t’i ikur të vërtetave. Raporti i Dic Martyt është fake dhe tashmë është e qartë se pas tij fshihen strukturat serbe.

Hapi i fundit ishte plani për eliminimin fizik nga struktura serbe për të fshehur gjurmët dhe për të fajësuar sërish Kosovën. E vërteta nuk fshihet dot. Lufta e UÇK ishte një luftë e drejtë përballë agresionit dhe krimeve të regjimit të Millosheviçit. Askush nuk mund të barazojë viktimën me agresorin. Askush nuk mund të barazojë luftën e drejtë me masakrat dhe gjenocidin. Lufta e UÇK pati në krah të saj NATO sepse ishte një luftë e drejtë.

Ndaj shqiptarëve po kryhej gjenocid. Ky parlament, burrat dhe gratë nuk e fusin kokën si struci në rërë. Nuk duhet të ngurojnë për të votuar këtë dënimin e këtij gjenocidi. Ky nuk ka për qëllim për të mbetur pengje të së shkuarës së dhimbshme por për t’i hapur rrugën të ardhmes. Çdo qëndrim tjetër ndaj Serbisë. Sado të fshihet pas gjuhës së shthurur është një amnistie ndaj të shkuarës që rrezikon të përsëritet nëse nuk dënohet. Jemi në krah të përpjekjeve të Kosovës”, tha Basha.

Rama- Bashës: Rezoluta kundër Dick Martyt synon të lëvizë Këshillin e Europës, ju s’keni atdhe

Kryeministri Edi Rama mori sërish fjalën në Kuvend duke iu përgjigjur ish-kreut të PD-së Lulzim Basha.

Rama: A e dëgjuat? Ka qenë 8 vjet kryetar i PD. Dëgjuat ndonjë fjalë për Dick Martyn, për UÇKm për akuzën e trafikut të qenieve njerëzor? Jo. Dëgjuat vetëm për Millosheviçin dhe për mua. Por pjesën për mua duhet ta mirëkuptoni se i kam munguar shumë këtë periudhë. Këtu nuk kemi ardhur të bëjë atë që këta (opozita) të gjithë këta, se nuk dallojnë, kanë bërë sa herë i është dashur ky parlament dhe Kosova si samar kur nuk kanë pasur çfarë t’i bëjnë gomarit. Asnjë fjalë për rezolutën që është fillimi i një beteje të vërtetë reale. Nuk duhet t;ia vini re. dyshoj se do të ketë të tjerë që do ta përmendin dhe do të merren seriozisht me raportin e Dick Martyt. Këta e kanë votuar raportin e Martyt në ?Këshillin e Evropës. Historia e ka këtë të keqe, kur ti mendon se e ke marrë pas të vjen para.

Asnjë fjalë për rezolutën që është fillimi I një beteje reale të vërtetë.

Rezoluta fillimi i një rruge që do të shkojë në Strasburg. Kjo rezolutë synon të lëvizë këshillin e europës jo ujërat e ndenjur të kënetës së Shqupit. Kujt  ti flasësh. Këta kujtojnë se kanë atdhe, këta nuk kanë atdhe nuk kanë as din e as iman.

Balla prezanton rezolutën kundër raportit të Dick Marty: Pretendimet të pabazuara

Kreu i Grupit Parlamentar Socialit, Taulant Balla ka lexuar para Kuvendit projekt rezolutën kundër raportit të Dick Martyt. Në fjalën e tij Balla tha se gjatë 10-viteve hetime nga autoritetet evropiane mbi krimet e pretenduara të  Dick Martyt nuk është gjetur asnjë provë apo fakt i vetëm.

Më tej, ai tha se duhen rivlerësuar pretendimet për trafikimin e paligjshëm të organeve në Kosovë e Shqipëri me faktet e përditësuara, teksa shtoi se rikonfirmohet vullneti për të mbështetur drejtësinë.

“Në vijim të qëndrimeve tona të kahershme për vlerësimin legjitimitetit të luftës heroike çlirimtare të UÇK dhe duke rishprehur qëndrimin tonë se nuk mund të vendoset kurrsesi paralele mes masakrave njerëzore përdhunimeve, krimeve të luftës, nga drejtues të makinerës luftarake serbe dhe paramilitarët e saj gjatë luftës në Kosovës dhe integritetit dhe kauzës së drejtë të luftës së UÇK. Bazuar në parimin se çdo dyshim për kime lufte duhet zbardhur nga organet e drejtësisë sipas parimeve të procesit të rregullt ligjor.

Hetimet e thelluara nga task forca e BE dhe zyra e prokurorit të specializuar, pretendimet e ngritura në raportin e Dick Marty, për vrasje të personave me qëllim të nxjerrjes dhe shitjes së organeve të tyre në Shqipëri apo Kosovë, të përfshira në rezolutë, mbeten të paargumentuara, të paprovuara dhe të pabazuara në prova dhe fakte edhe duhet të konsiderohen si të tilla nga institucionet kombëtare dhe ndërkombëtare. Si rezultat kemi prezantuar para  Kuvendit këtë rezolutë.

Synimi është t’i kërkojmë asamblesë parlamentare të PE, te realizojë një raport vijues dhe për pasojë rishikim të rezolutës së vitit 2011, duke rivlerësuar pretendimet për trafikim të organeve në Shqipëri dhe Kosovë. Ripërsërisim thirrjen për të gjithë të interesuarit. Jam i bindur që kjo rezolutë do ketë mbështetjen e gjithë anëtarëve të Kuvendit të Shqipërisë”.

PROJEKT-REZOLUTË e PREZANTUAR NGA TAULANT BALLA

MBI PABAZUESHMËRINË E PRETENDIMEVE PËR TRAFIKIMIN E PALIGJSHËM TË ORGANEVE NJERËZORE NË KOSOVË DHE SHQIPËRI

Duke iu referuar Rezolutës 1782 (2011) të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës (“APKiE”) për “Hetimin e pretendimeve për trajtim çnjerëzor të personave dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë”, e cila bazohej në një raport (Doc. 12462, datë 7 janar 2011) të Dick Marty, (“Raporti”), asokohe anëtar dhe raportues i Komitetit për Çështje Ligjore dhe të Drejtat e Njeriut në APKiE;

Duke rikujtuar se Raporti u hartua në vijim të një mocioni për rezolutë (Dokumenti 11574, datë 15 Prill 2008), me autor ish anëtarin e APKiE, Konstantin Kosachev,  Federata Ruse, Grupi Europian Demokrat, bazuar në kujtimet e znj. Carla Del Ponte, ish Prokurore e Tribunalit Penal Ndërkombëtar për Krime Lufte për ish Jugosllavinë (“ICTY”), e cila në librin e saj “Gjuetia: unë dhe kriminelët e luftës”, botuar dy muaj pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe rreth tre muaj pasi kishte dhënë dorëheqjen si prokurore e ICTY, ngrinte dyshime se pjestarë, drejtues të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (“UÇK”) kishin kryer trajtime çnjerëzore të personave dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe në Shqipëri, krime këto që nuk mund të hetoheshin nga ICTY për mungesë juridiksioni si dhe për shkak të mandatit të kufizuar në kohë dhe territor të kësaj gjykate. Këto pretendime ishin hetuar dhe më parë nga zyra e ICTY, gjatë mandatit të Del Ponte, por nuk ishin gjetur prova për të bazuar pretendimet për kryerjen e këtyre krimeve;

Duke nënvizuar se Raporti i Dick Marty, në vijim të pretendimeve të ish prokurores Carla Del Ponte dhe mocionit për rezolutë të nisur prej deputetit rus në APKiE, Kosachev, edhe pse nuk është një raport faktmbledhës apo hetimi, ngre pretendime për trajtim çnjerëzor të personave dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore që dyshohen të jenë kryer nga pjestarë dhe drejtues të UÇK ndaj shtetasve serbë, kosovarë dhe komunitetit rom apo minoriteteve të tjera të Kosovës në territorin shqiptar, më konkretisht në veri të Shqipërisë: Kukës, Burrel, Rripe, Cahan dhe Fushë Krujë, në periudhën pas përfundimit të luftës në Kosovë, kryesisht pas qershorit të vitit 1999, dhe ka shërbyer si dokumenti ku bazohen rekomandimet në Rezolutën 1782 (2011) e APKiE, drejtuar vendeve anëtare të Këshillit të Evropës, Bashkimit Europian dhe organizatave ndërkombëtare, Kosovës, Shqipërisë, Serbisë dhe mbi të cilin u realizuan një sërë nismash kushtetuese dhe/ose ligjore dhe rregullatore si dhe veprimtari institucionale në Kosovë, Shqipëri dhe Bashkimin Evropian (EULEX), sic përshkruhen në vijim në këtë Rezolutë;

Duke vlerësuar Kuvendin e Kosovës që pati vullnetin politik, edhe pse disa prej atyre të cilët votuan ishin të akuzuarit e krimeve të pretenduara në Raportin e Dick Marty, për të miratuar amendamentin kushtetues n.24 të gushtit 2015 që parashikoi krijimin e dhomave të specializuara për ndjekjen penale mbi pretendimet që lidhen me cfarë pretendohet në Raportin e Dick Marty dhe që ishte objekt hetimi edhe nga Task Forca Hetimore Speciale e Bashkimit Europian ngritur sipas vendimit të majit 2011 të Komitetit Politik dhe Sigurisë së Bashkimit Europian për disa ndryshime në planin operacional të EULEX, në vijim të Rezolutës 1782 (2011) të APKiE;

Duke sjellë në vëmendje se veprimin e klasës politike të Kosovës për amendamentin kushtetues n.24 të Gushtit 2015, e vlerësoi dhe APKiE në Rezolutën 2094 (2016) “Situata në Kosovë dhe roli i Këshillit të Europës”, e cila në pikën 3, thotë shprehimisht se: “Asambleja mirëpret miratimin nga Kuvendi i Kosovës të amendamenteve kushtetuese të cilat i hapën rrugën krijimit të dhomave të specializuara për ndjekjen penale të rasteve të hetuara nga Task Forca Hetimore Speciale, si vazhdim i Rezolutës së Asamblesë 1782 (2011) për hetimin e pretendimeve për trajtim çnjerëzor të personave dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë. Asambleja e konsideron këtë vendim si një hap drejt pajtimit dhe një shenjë e gatishmërisë së pushtetit për të luftuar mosndëshkimin.”;

Duke vlerësuar dhe rikujtuar gjithashtu se në zbatim të amendamentit kushtetues, si dhe Ligjit Nr. 04/L -274 “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare në mes të Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian mbi misionin e Bashkimit Evropian për sundim të ligjit në Kosovë”, Kuvendi i Kosovës miratoi dhe Ligjin Nr. 05/L -053 “Për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”, duke i dhënë juridiksionin këtyre organeve të pavarura dhe të përkohshme, pjesë e sistemit të drejtësisë së Kosovës, në përbërje të së cilave nuk ka shtetas kosovarë, për të hetuar e ushtruar ndjekjen penale për krimet e supozuara që janë raportuar në Raportin e Dick Marty dhe që kanë qenë edhe objekt i hetimeve penale të kryera nga Task Forca Hetimore Speciale e Bashkimit Europian;

Duke nënvizuar se as Task Forca Hetimore Speciale e Bashkimit Europian e kryesuar nga Clint Ëilliamson, e autorizuar në vitin 2011 për një hetim të plotë penal mbi akuzat për vrasje të personave me qëllim të nxjerrjes dhe shitjes së organeve të tyre, nuk gjeti kurrë prova dhe fakte në mbështetje të pretendimeve në Raportin e Dick Marty;

Duke vënë në dukje se as Zyra e Prokurorit të Specializuar, që është krijuar për të hetuar dhe për të ndjekur penalisht individë për krime të supozuara në raportin e Dick Marty, në asnjë prej hetimeve të saj e në asnjë prej aktakuzave që u ngritën kundër ish-drejtuesve të UÇK në vitin 2020, nuk përmend asnjë rast që të lidhet me trafikimin e organeve njerëzore;

Duke theksuar gatishmërinë dhe vullnetin e Shqipërisë për të bashkëpunuar pa rezerva me të gjitha institucionet ndërkombëtare me qëllim që t’i jepet një përgjigje përfundimtare pretendimeve në Raportin e Dick Marty dhe për t’i shkuar deri në fund këtij procesi, për të mbyllur një herë e mirë kapitullin se në Shqipëri  nuk janë kryer krime të supozuara si ato që përmenden në Raportin e Dick Marty, si dhe duke nënvizuar asistencën dhe bashkëpunimin efektiv të Shqipërisë me çdo mision faktmbledhës apo investigues të Kombeve të Bashkuara, Këshillit të Evropës, EULEX Bashkimit Europian apo tjetër që kanë patur interes të kryejnë investigime dhe veçanërisht në zbatim të rekomandimeve të Rezolutës së APKiE 1782 (2011), edhe përpara se të ngriheshin Dhomat e Specializuara apo Zyra e Prokurorit Special në Kosovë;

Duke vënë në dukje se shprehje e vullnetit të Shqipërisë për të bashkëpunuar në interes të drejtësisë dhe zbardhjes së të vërtetës për krimet e supozuara në Raportin e Dick Marty, është dhe miratimi nga Kuvendi i Shqipërisë i Ligjit  nr.53/2012 “Për Marrëdhëniet juridiksionale në çështjet penale me Task Forcën Hetimore Speciale të EULEX-it”, i cili autorizon autoritetet kompetente të Republikës së Shqipërisë t’i ofrojnë Task Forcës Hetimore Speciale të Bashkimit Europian bashkëpunimin dhe ndihmën përkatëse që u kërkohet;

Duke rikujtuar se miratimi i Ligjit nr.53/2012 nga Kuvendi i Shqipërisë është vlerësuar në Raportin e  APKiE, (Doc. 13586), datë 2 shtator 2014 “Respektimi i detyrimeve dhe angazhimeve nga Shqipëria” ku në pikën 5.5 “Ndjekja e raportit të Asamblesë për trajtim çnjerëzor të personave dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë”, paragrafi 129, shprehimisht thuhet: “Ne mirëpresim faktin që autoritetet shqiptare kanë ofruar një bashkëpunim të plotë dhe të papenguar për hetuesit e EULEX-it për këto krime të supozuara në territorin shqiptar. Duke e konsideruar me rëndësi të madhe që pretendimet e ngritura në këtë raport të hetohen plotësisht dhe në mënyrë transparente, Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin “Për marrëdhëniet juridiksionale në çështjet penale me njësinë e hetimeve speciale të EULEX-it” në maj të vitit 2012. Bazuar në këtë ligj, Prokurorët e EULEX-it lejohen të hetojnë brenda territorit shqiptar mbi implikimet e supozuara të Shqipërisë në trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në territorin shqiptar. Ata kanë pasur mbështetjen e plotë të të gjitha institucioneve kompetente. Në lidhje me hetimin e pavarur dhe të veçantë nga autoritetet shqiptare, siç kërkohet nga Kuvendi, autoritetet deklaruan se hetimet e tyre deri më tani nuk kanë konfirmuar gjetjet e Marty.”;

Duke nënvizuar se pas hyrjes në fuqi të Ligjit nr.53/2012, autoritetet shqiptare bashkëpunuan ngushtësisht me Task Forcën Hetimore Speciale të Bashkimit Europian dhe organet e specializuara në Kosovë, duke ofruar gjithë ndihmën, asistencën e nevojshme, informacionet e kërkuara si dhe kryerjen e veprimeve përkatëse në lidhje me to, me qëllim zbardhjen e të vërtetës mbi pretendimet në Raportin e Dick Marty;

Duke konstatuar se nga hyrja në fuqi e Ligjit nr.53/2012 e deri më sot, asnjë prej organeve të specializuara në Kosovë apo organizatat ndërkombëtare nuk kanë ngritur asnjë pretendim për mungesën e bashkëpunimit të autoriteteve shqiptare në këtë proces;

Duke nënvizuar seriozitetin dhe përgjegjshmërinë e Kuvendit të Shqipërisë për të ushtruar kontrollin parlamentar për zbatimin e Rezolutës 1782 (2011) të APKiE dhe Ligjit nr.53/2012 nga autoritetet shqiptare nëpërmjet ngritjes së një Komisioni të Posaçëm për realizimin e këtij funksioni parlamentar me vendimin e Kuvendit të Shqipërisë nr. 72/2020, i cili nuk e përmbylli dot veprimtarinë e tij për shkak të mbarimit të legjislaturës së IX të Kuvendit (2017-2021), por arriti të marrë informacione e raporte të plota që vërtetojnë se gatishmëria e autoriteteve shqiptare ka qenë efektive dhe këto autoritete i janë përgjigjur në kohë e me konstruktivitet kërkesave të autoriteteve të huaja për bashkëpunim, ndihmë, asistencë dhe veprime konkrete sipas përcaktimeve të Ligjit nr.53/2012, duke përmbushur kështu njëkohësisht dhe rekomandimet e Rezolutës 1782 (2011) për Shqipërinë;

Duke konstatuar se nga aktet, provat, raportet dhe informacionet që mblodhi Komisioni i Posaçëm ngritur me vendim të Kuvendit nr.72/2020, nuk ka asnjë fakt apo provë që të vërtetojë  pretendimet e ngritura në Raportin e Dick Marty për vrasje të personave me qëllim të nxjerrjes dhe shitjes së organeve të tyre dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe/apo në Shqipëri;

Duke theksuar se Dick Marty, pas vizitave që kreu si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, kurrë deri më sot, nuk ka paraqitur asnjë provë për të vërtetuar krimet e supozuara të kryera në lidhje me trafikimin e organeve njerëzore, siç pretendon në Raportin e tij;

Duke qenë se kësisoj, edhe pas më se një dekade nga Rezoluta 1782 (2011) e APKiE, rezulton se asnjë nga misionet dhe/apo hetimet e organeve të drejtësisë vendase apo ndërkombëtare nuk kanë gjetur asnjë fakt e asnjë provë që të vërtetojë  pretendimet e ngritura në Raportin e Dick Marty për vrasje me qëllim trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë dhe/apo në Shqipëri;

Duke respektuar dhe pa ndërhyrë në asnjë hetim apo procedurë gjykimi ndaj personave të veçantë, udhëheqësve të luftës së UÇK dhe duke qenë të përkushtuar për zbatimin e plotë të rekomandimeve të Rezolutave të APKiE si vend anëtar i Këshillit të Evropës;

Duke ndarë të njëjtin mendim me Dick Marty, aty ku shprehet në Raportin e tij se: “E vërteta dhe përgjegjshmëria janë nevoja absolute nëse duhet të ketë pajtim dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon”;

Duke vlerësuar legjitimitetin e luftës heroike të UÇK për çlirimin e vendit dhe duke qenë të bindur se pavarësisht se nuk mund të vendosen paralele midis masakrave çnjerëzore, spastrimeve etnike, deportimeve, vrasjeve, përdhunimeve, plaçkitjeve dhe krimeve të luftës, nga drejtues dhe anëtarë të makinerisë zyrtare luftarake serbe dhe paramilitarët e saj gjatë luftës në Kosovë, nga njëra anë, dhe integritetit e kauzës së drejtë të luftës së UÇK si reagim në mbrojtje të jetës dhe lirisë të popullit në Kosovë, nga ana tjetër, çdo dyshim për krime duhet zbardhur nga organet e drejtësisë sipas parimeve të procesit të rregullt ligjor, por procesi për këtë çështje do duhet të mbarojë dikur, me qëllim që popujt të gjejnë focën të pajtohen e jetojnë së bashku duke shëruar plagët e së shkuarës;

KUVENDI I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

– Konstaton se, pas më shumë se dhjetë vitesh hetime të thelluara nga Task Forca Hetimore Speciale e BE dhe pasardhësja e saj, Zyra e Prokurorit të Specializuar, pretendimet e ngritura në Raportin e  Dick Marty për vrasje të personave me qëllim të nxjerrjes dhe shitjes së organeve të tyre dhe trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe/apo në Kosovë, të përfshira në Rezolutën 1782 (2011) të APKiE, pika 1 dhe pika 4, mbeten të paargumentuara, të paprovuara dhe të pabazuara në prova dhe fakte e, për rrjedhojë, duhet të konsiderohen si të tilla nga të gjitha institucionet kombëtare e ndërkombëtare.

– Përgëzon autoritetet e Republikës së Kosovës, të cilat, në përputhje me kërkesat e parashikuara në pikën 19.6 të Rezolutës 1782 (2011) të APKiE, kanë bashkëpunuar pa rezerva me EULEX dhe çdo organ tjetër gjyqësor të mandatuar për të kryer hetime vijuese si dhe në kuadër të çdo procedure tjetër që synon të zbulojë të vërtetën.

– Përshëndet autoritetet e Kosovës, të cilat, në përputhje me një marrëveshje ndërkombëtare dhe amendamentin kushtetues nr.24 të Gushtit 2015 miratuan themelimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar, pjesë përbërëse e sistemit gjyqësor të Republikës së Kosovës dhe të natyrës së përkohshme, me qëllim kryesor hetimin dhe/ose gjykimin e krimeve të pretenduara në Raportin e  Dick Marty.

–  I bën thirrje Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës të realizojë një raport vijues (folloë up report) dhe si rrjedhojë dhe një rishikim të Rezolutës 1782 (2011), duke rivlerësuar pretendimet për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri dhe/apo në Kosovë, në dritën e zhvillimeve që kanë ndodhur gjatë kësaj dekade, fakteve, provave dhe informacioneve të përditësuara, sikurse dhe përsa i përket angazhimit, gatishmërisë dhe bashkëpunimit të plotë të Shqipërisë dhe Kosovës në shërbim të së vërtetës dhe vendosjes së drejtësisë.

– I kërkon Qeverisë shqiptare të mbetet plotësisht e përkushtuar për të ndihmuar drejtësinë dhe identifikuar përgjegjësinë për të gjitha krimet e kryera në ish-Jugosllavi dhe përsërit thirrjen e tij për të gjithë të interesuarit që të bashkëpunojnë me Mekanizmin Ndërkombëtar për kryerjen e funksioneve të mbetura të gjykatave penale (IRMCT), brenda juridiksionit të saj.

–  Shpreh vullnetin e palëkundur për të ndihmuar drejtësinë dhe mbështetur çdo përpjekje që synon të zbulojë të vërtetën.

Rama përplaset me opozitën për Srebernicën: Jeni gati ta bëni lëmsh politikën kombëtare të Shqipërisë

Kryeministri Rama ka marrë fjalën në Kuvend. Rama ishte i ashpër ndaj PD-së në lidhje me qendrimet e tyre ndaj rezolutës kundër raportit të Dick Martyt si edhe ndaj rezolutës kundër gjenocidit në Srebrenicë.

Rama tha se Shqipëria nuk mund të bëhet gazi i botës për shkak “të foltores” duke iu referuar hedhjes poshtë fillimisht të Rezolutës së propozuar nga demokratët.

Rama: Është sa e thjeshtë aq edhe e neveritshme që për një arsye që u kujtuat për genocidin në Srebrenicë, kujtoheni për genocidin në Kosovë. Po të shikosh gjithë historinë e deklaratave shiko dhe ndryshimin si nata me ditën mes jush dhe nesh. Mes asaj që quhet PD dhe tani nuk e di si quhet dhe ne që quhemi PS. Sa herë ka pasur një krizë që ju është dashur ta kapërceni keni futur në mes viktimat e Kosovës. Sa herë ju është dashur të nxirrni nga agjenda probleme të caktuara merrini shikojini.

Zgjoheni ju në 2022 dhe kujtoheni për Srebrenicën. S’keni lidhje fare ju, ju jeni gati t’i rizhvarrosni dhe t’i rifusni nga e para në varrin masiv ata atje për t’i thënë kujt  të mundeni që socialistët nuk duan. Ju jeni gati ta bëni lëmsh edhe një herë nga e para politikën kombëtare të Shqipërisë për të ardhur këtu dhe të shisni këto dëngla. Cilin genocide doni të aprovojë Kuvendi? E keni harruar ju që ai shtet i lirë, Sovran e demokratik është krijuar nga ata pa të cilët as ju, as ata në Prishtinë nuk duhet të bëjnë asnjë hap.

Rama akuza Partisë Demokratike për Kosovën: I keni ngulur thikën në gjoks Hashim Thaçit, historia do tregojë se…

Kryeministri Edi Rama sulmoi Partinë Demokratike në lidhje me qëndrimet e saj për Kosovën dhe raportin e Dick Martyt.

Nga foltorja e parlamentit kryeministri theskoi se voto e PD pro në Këshillin e Evropës për raportin e Dick Martyt ishte një thikë pas shpinë ndaj Kosovës dhe një thikë në gjoks për Hashim Thaçin.

Dick Martyt ja keni hapur rrugën ju. Hajdeni këtu dhe thoi pse votuat në këshillin e Evropës.

Thikat që ju i keni ngulur Kosovës duke e masakruar UÇK-në, herë si marksiste, herë si terroriste, që nga fillimi dhe deri në fund duke ia ngulur mu në gjoks thikën Hashim Thaçit i përkasin historisë

Por historia do tregojë se ju jeni thika në shpinën e Kosovës”, tha Rama.

“Sa herë ka kriza në PD, përdorni viktimat e Kosovës”- Rama sulmon opozitën

Kryeministri Edi Rama ka sulmuar opozitën në Kuvend në lidhje me projektrezolutën për të dënuar gjenocidin në Kosovë.

Duke përdorur një gjuhë të papërpmbajtur Rama u shpreh se nuk do të marrin asnjë hap të tillë për të zgjidhur ato që ai i cilësoi “probleme mes gojores dhe foltores”.

“Për një arsye pse u kujtuan për genocidin në Srebrenicë kujtohen për genocidin në Kosovë,. Po të shikosh historinë e deklaratave dhe rezolutave shikon ndryshimin si nata me ditën. Mes asaj që quhej PD dhe sot nuk e di si quhet dhe ne që quhemi PS. Sa herë ka pasur një krizë që duhet ta kapërceni keni future në mes viktimat e Kosovës.

Merrni shikoni si përkon me rezolutat dhe deklaratat për Kosovën kjo histori. Zgjoheni ju sot dhe kujtoheni për Srebrenicë. Jeni gati t’i rivarrosni dhe njëherë dhe t’i fusni në varrin masiv për të thënë që socialistët nuk duan. Jeni gati ta bëni lëmsh politikën ndërkombëtare të Shqipërisë. E keni harruar ju që ai shtet i lirë sovran dhe demokratik është krijuar nga ata pa të cilët as ju dhe as ata në Prishtinë nuk duhet të bëjnë asnjë hap.

Nëse ju bashkë me ata në Prishtinë doni të bëni happa të tillë, bëjini. Ne nuk i bëjmë. Nuk marrim hapa të tillë për të zgjidhur probleme mes foltores dhe gojores. Nuk bëhemi ne si foltorja dhe gojorja. U miratua rezoluta për Srebrenicën. Atëherë kur ishte planifikuar të miratohej, jo në ditën e gojores dhe foltores. Nuk keni çfarë i bëni bini gomarit i bini samarit”, tha Rama.

“Kosova duhet të na bashkojë, jo të na ndajë”- Enkelejd Alibeaj përplaset me Lindita Nikollën

Ka nisur me debate seanca e fundit parlamentare për këtë sesion. Kreu i grupit parlamentar të PD Enkelejd Alibeaj iu drejtua kryeparlamentares Lindita Nikolla se po gënjen në lidhje me projektrezolutën e dorëzuar në Kuvend për luftën në Kosovë.

Përveçse je duke shkelur rregulloren sot sapo gënjeve. Ka një projektrezolutë të paraqitur në datë 27 Maj. Ka një tjetër nga disa kolegë që ngjajnë si dy pika uji. Me zotin Shehu e kam gjetur gjuhën e përbashkët në Komisionin e Politikës së Jashtme. 

Ajo është një projektrezolutë. Duhet të ishte future në seancë që në datë 27 qershor. Ju thatë që Kosova nuk duhet të na ndajë.Po bëheni ju shkak. Keni detyrim që një projektrezolutë që sipas rregullores së këtij kuvendi ta kalosh projektrezolutën ta sjellësh në seancë që secili të shprehë qëndrimin e tij. Ju është bërë ky togfjalësh.

Duhet kurajo intelektuale për të përballuar këtë situatë dhe për ta çuar përpara. Është seanca e fundit. Të gjithë jemi te çështja e Kosovës. Është detyrim për ta diskutuar atë projektrezolutë. Nuk kemi ne asnjë ndarje me njëri tjetrin se Kosovën a bashkon. Barrën do e mbani ju”, tha ai.

Përgjigja e Lindita Nikollës ishte kjo: “Tërhiqeni fjalën mbrapsht gënjen. Ju vë në dispozicion vendimin e datës 20 ku thuhet se të dyja do kalojnë në Komisionin e Politikës së Jashtme. Nuk është arritur konsesus”, deklaroi ajo

Ditë e ngarkuar në Kuvend/ PS rezolutë kundër Dick Martyt në Kuvend, Tabaku dhe Shehaj “i kërkojnë llogari” Kumbaros

Sot diskutohet në Kuvend projektrezoluta “Mbi bazueshmërinë e pretendimeve për trafikimin e paligjshëm të organeve në Kosovë dhe në Shqipëri”.

Më 18 korrik PS deponoi në Kuvendin e Shqipërisë një propozim për një “Rezolutë” dhe tekstin e rezolutës me të cilën Shqipëria do të hedhë poshtë pretendimet për trafikim organesh.

Në propozimin për rezolutë të cilën e kanë iniciuar deputetët e PS-së  Taulant Balla, Mimi Kodheli, Klotilda Bushka, Etilda Gjonaj, Blendi Klosi, Etjen Xhafaj, Petro Koci, Hatixhe Konomi, Bardhyl Kollcaku, Ilir Pendavinji e Arben Pëllumbi thuhet se PS beson se do të ketë  “mbështetjen e të gjithë anëtarëve të Kuvendit të Shqipërisë” dhe se me këtë projekt rezolutë synohet në vullnetin e palëkundur për të ndihmuar drejtësinë dhe mbështetur çdo përpjekje që synon të zbulojë të vërtetën.

Ndërsa në tekstin e projekt rezolutës që pritet t’i propozohet ligjvënëseve shqiptarë thuhet se hetimet e thelluara rreth pohimeve të Dick Martyt për trafikim organesh mbeten të paargumentuara, të paprovuara dhe të pabazuara prandaj theksohet se të tilla duhet të konsiderohen edhe nga ndërkombëtarët.

Në rendin e ditës gjithashtu është parashikuar interpelancë me ministren e Turizmit dhe Mjedisti, Mirela Kumbaro kërkuar nga dy deputetët demokratë, Jorida Tabaku dhe Agron Shehaj.

Në Kuvend do të prezantohet raporti vjetori i veprimtarisë së Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave për vitin 2021.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat