Të tjera reagime kanë ardhur nga PD-së për atentatin e mbrëmshëm ku një i ri mbeti i vrarë ndërsa një tjetër u plagos rëndë. Deputeti Indrit Hoxha nga selia blu theksoi se gjithçka po ndodh nën hundën e Policisë së Shtetit.
“Acarimi i elementëve të krimit, ka të bëjë me ndarje territoresh, zona influencash, të cilat lejohen nga paaftësia qeveritare dhe implikimi qeveritar.”, tha Hoxha në emër të PD-së.
Ndërkohë edhe Kreu i Këshillit Kombëtar të PD-së, Edi Paloka ka reaguar në lidhje me vendimin që vendimin e Britanisë së Madhe e cila shpalli non-grata ish-kryeministrin Sali Berisha. Përmes një mesazhi në ‘Facebook’ Paloka thekson se PD-ja nuk është në luftë me SHBA-të apo MB-në por me lolot e Sorosit në Shqipëri.
REAGIMI I PD:
Rendi dhe siguria publike në Shqipëri janë përkeqësuar duke dalë jashtë kontrollit në harkun e një jave. Katër të vdekur dhe një i plagosur rëndë në atentate të përgjakshme, nën hundën e Policisë së Shtetit, dhe në akse rrugësh të rrahura kombëtare, janë shenjë se qeveria nuk menaxhon vendin.
Ajo thjesht mbikëqyr korrupsionin.
Mbrëmë në Milot dhe një javë më parë në Fushë Krujë, krimi i organizuar dëshmoi se është më prezent dhe më i sofistikuar se shteti. Për faktin e thjeshtë se shteti nuk e tremb më, por duke qenë pushtet e jo shtet, bashkëpunon me të.
Partia Demokratike lëshon sot thirrjen kombëtare për trajtimin si emergjencë të rendit dhe sigurisë publike. Përfshijmë në këtë thirrje të gjithë aktorët relevantë të cilëve u bëjmë me dije se Shqipëria nuk menaxhohet më nga qeveria e para 9 viteve.
Përgjegjësitë, si për rendin, si për korrupsionin, si për të palarat e këtyre 9 viteve, duhen kërkuar në të sotmen, jo në dekadën e shkuar.
Arsyet e acarimit të elementëve kriminalë, nuk kanë të bëjnë me gjë tjetër veçse me ndarje territoresh, me zona influence, hapësira që lejohen, jo vetëm nga paaftësia qeveritare, por sidomos nga implikimi qeveritar.
Bota e krimit nuk po i bën karshillëk qeverisë. E kundërta, ajo nuk shqetësohet më prej forcës së shtetit, sepse e sheh si partner dhe si të ngjashëm.
Partia Demokratike nuk dëshiron të bëjë politikë me vdekjen, por në të njëjtën kohë, ne nuk mund të mbyllim sytë para një emergjence kombëtare.
Nuk kemi të bëjmë me luftë bandash, dhe as rivalitet, por me kapitullim.
Ndër dy të ngjashmit, për të zezën e qytetarëve, luftën po e fitojnë ata që i bëjnë punët e zeza