Policia e Sarandës ka arrestuar shtetasin Hair Breshanaj, 62 vjeç, i cili rezulton një person i dënuar me 22-vite burg për një vrasje të ndodhur në vitin 1998.
Arrestimi i 62-vjeçarit u krye pas marrjes së informacionit se një shtetas i shumëkërkuar për vrasje fshihej në fshatin Vrinë, Sarandë. Pas mbajtjes nën mbikqyrje u provua se ai ishte shtetasi Hair Breshanaj i dënuar për vrasjen me thikë të shtetasit me inicialet N.N në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë.
Materialet i kaluan prokurorisë së Vlorës për veprime të mëtejshme.
POSTIMI I PLOTË
Finalizohet operacioni policor i koduar “Vrina”.
Operacioni, nga Komisariati i Policisë Sarandë, në bashkëpunim Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe strukturat e DVP Vlorë.
Kapet dhe vihet në pranga, në fshatin Vrinë, një shtetas i shumëkërkuar, i dënuar me 20 vjet burgim, për vrasjen e një shtetasi, në vitin 1998.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, pas marrjes së informacionit se një shtetas i shumëkërkuar fshihej në fshatin Vrinë, Sarandë, organizuan punën dhe pas disa ditësh mbajtjeje nën kontroll, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe strukturat e DVP Vlorë, finalizuan operacionin policor të koduar “Vrina”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe prangosja e shtetasit:
– Hair Breshanaj, 62 vjeç, banues në Sarandë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Shkallës së Parë Vlorë, me vendimin e datës 21.12.2000, e ka dënuar me 20 vjet burgim, për veprën penale “Vrasja me dashje”. 62-vjeçari, më datë 24.11.1998, në lagjen “Uji i Ftohtë”, Vlorë, pas një konflikti për motive të dobëta, ka vrarë me thikë shtetasin N. N.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqesor Vlorë, për veprime të mëtejshme.