Bajram Begaj në fjalimin e tij të parë në Kuvend pas betimit si president i tetë i Shqipërisë, tha se gjatë mandatit të tij pesëvjeçar do të përmbushë detyrën e tij sipas normave të Kushtetutës, por nuk do të qëndrojë neutral.
Ai ka thënë se pas hapjes së negociatave për anëtarësim në BE, Shqipëria tashmë ka hyrë në një rrugë të pakthyeshme evropiane.
Begaj: Shqipëria evropiane sot premtim, nesër realitet
“Trashëgimia e mëhershme e dilemave e dyshimeve për orientimin e saj, i takon tash së shkuarës. Shqipëria evropiane sot premtim dhe nesër realitet, është kurora e ëndrrës më të bukur historike të popullit shqiptar dhe testamenti i ardhur prej historisë dhe bekimi i së ardhmes... Unë e njoh dhe e mbështes punën e qeverisë, dhe e mbështesë opozitën shqiptare dhe vlerat që ajo realizon, por dëshiroja që asnjëherë të mos shihej konflikti përpara bashkëpunimit”, tha Begaj.
Ai ka theksuar tha se marrja e kësaj detyre vjen në një moment të rëndësishëm historik.
Begaj: Shqipëria dhe shqiptarët u rreshtuan në anën e duhur përkrah aleatëve
“Pas pandemisë agresioni rus një sulm i paprovokuar ndaj popullit të Ukrainës e ka futur botën në një tjerë krizë, duke zgjuar kujtimet e errëta të pasojave katastrofike që prodhoi lufta. Askush nuk mund të jetë i përjashtuar nga pasojat e saja, as Shqipëria dhe shqiptarët të cilët janë rreshtuar në anën e duhur përkrah aleatëve. Të kemi ndjenjën e përgjegjësie dhe të respektojmë vendimet e organeve kompetente dhe të mos përfitojmë nga situatat e vështira. Vetëm kështu interpretojmë qartë shpresat e qytetarëve tanë, të cilat me dhimbje duhet ta pranojmë se marrin goditje prej 32 vjetësh”, ka thënë Begaj.
Ai tha se do të përmbushë detyrën e tij sipas normave të Kushtetutës, por nuk do të qëndrojë neutral që bie ndesh.
Begaj: Do të insistoj në bashkëpunimin ndërmjet të gjitha forcave politike
“Do të insistoj në bashkëpunimin ndërmjet të gjitha forcave politike, sepse në fund ne jemi shërbyes të qytetarëve dhe konflikti nuk është asnjë herë një shërbyes i mirë... Me vendosmëri të konsolidojmë shtetin e së drejtës për të garantuar të drejtat e lirive të njeriut sikurse e meritojnë qytetarët, të luftojmë për të rigjetur vlerat e humbur dhe atyre që me shumë mund deri më tash i kemi ndërtuar”, ka thënë Begaj.
Ndryshe, në ceremoninë e betimin nuk mori pjesë kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, por që morën pjesë një pjesë e deputetëve të tjerë të kësaj partie.
Më pas ai do të drejtohet drejt Presidencës, ku do të mbahet ceremonia e dorëzim-pranimit të detyrës nga presidenti i deritanishëm Ilir Meta te presidenti i ri Bajram Begaj.
Begaj ulet në karrigen e kreut të Shtetit, pas detyrës së tij të lartë si shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, pasi Parlamenti e votoi atë në qershor me 78 vota pro.
Emri i tij për të qenë presidenti i tetë me radhë i shtetit erdhi me bekimin e kryeministrit Edi Rama, i cili zgjodhi përsëri modelin e ushtarakut, duke iu referuar Alfred Moisut, që ai e cilësoi një sukses.
Bajram Begaj (55), ka përfunduar studimet pranë Universitetit të Tiranës, Fakulteti i Mjekësisë, Dega Mjekësi e Përgjithshme dhe është titulluar oficer aktiv në specialitetin “Mjekësi” në vitin 1998.
Edhe karriera e tij në ushtri lidhet në pjesën më të madhe me profesionin e mjekut. Para se të merrte detyrën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, në vitin 2020, për një periudhë trevjeçare ka shërbyer në detyrën e komandantit të Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes.
--------------------
Bajram Begaj ka dhënë betimin sot në Kuvend si presidenti i tetë me radhë i Shqipërisë.
Begaj, sipas procedurës bëri betimin me dorë mbi Kushtetutë. Ai nis detyrën pas bërjes së betimit.