Në fakt, ajo ishte e pranishme në parlament, si pjesë e opozitës së drejtuar nga Enkelejd Alibeaj, në betimin e Bajram Begajt si president i Shqipërisë. Pasi e duatrokiti në sallën plenare, një ditë më pas, si njeri i letrave i ka numëruar gafat e para kreut të shtetit përmes një reagimi në Facebook. Po flasim për Flutura Açkën, e cila shkruan:
“Disa kolegë e miq më telefonuan të dinin arsyen e pjesëmarrjes sime në Inaugurimet e Presidentit të ri të Republikës, z.Bajram Begaj. Ngaqë i kam bërë publike prapësitë e pushtetit dhe pafuqinë e opozitës në procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Edhe ngaqë PD (!) – lexo Foltorja – paskësh vendosur ta bojkotojë. Edhe pse Presidenti Bajram Begaj u zgjodh si presidenti IM, ai është presidenti YNË.
Dhe është rasti që t’i uroj mbarësi dhe t’i shpreh besimin se personaliteti i tij do ta ndihmojë të jetë president i të gjithë shqiptarëve. Presidenti Begaj nuk është konsensual, por legjitim. Si dikush që njeh dhe respekton institucionet, është në nderin tim ta duartrokas inaugurimin e tij.
Do të kisha dashur që ai ta kishte edhe votën time, por çorba politike shqiptare, tash për tash, gatuhet në kazanin e ndotur të Edi Ramës. Dhe që të mos jetë vetëm i Edi Ramës, ndjej nevojë t’i bëj dy vërejtje, që Predidenti YNË të mbetet i tillë deri në fund të detyrës së tij:
Në fjalën e tij të parë në Parlamenti, zoti Begaj iu drejtua mē parë ministrave e më pas deputetëve. Shqipëria është republikë parlamentare dhe ministrat japin llogari në Parlament.
Në fjalën e tij të parë si president në godinën e Presidencës, zoti Begaj iu drejtua Vjosa Osmanit, si zonja Osmani. Do të duhej të thuhej e me gojën plot: E nderuara, zonja Vjosa Osmani, Presidente e Republikës së Kosovës.
Unë mendoj se këto janë shkujdesje të patëkeq dhe mund t’i ndodhin kujtdo nën shtypjen emocionale që një ditë si kjo ka, dhe nuk dua ta besoj – siç disa mëtojnë të më bindin – se janë fjalime të prodhuara nga Agjencia e Medias dhe Informimit (qeveritar).
Nga sot, Presidenti YNË duhet të këshillohet për fjalët e tij publike me njerëz që e duan Shqipërinë më shumë se partinë. Urime të sinqerta, z. Begaj!"