Ervin Bushati, ish-drejtor i Postës Shqiptare dhe ish-kryetar i PS-së në qarkun e Tiranës, ka komentuar rikthimin e Ilir Metës në jetën aktive politike në vend, ndërsa dje i ndërroi emrin erdhe partisë nga LSI në Partia e Lirisë. I ftuar në emisionin ‘Sot Live në Shqipëri’, Bushati tha se LSI ka ndërruar emër, por pronari është i njëjtë. Sipas Bushatit Meta është i vetmi ish-president që mezi pret të bëhet kryetar partie.
‘Nuk ka se më çfarë të krenohet kjo lëvizje! Është presidenti i parë në botë që kërkon të bëhet kryetar partie. LSI ndërroi emër por pronari është një. Në karrigen e presidentit Shqipërisë bënte qokën e kryetarit të partisë. Është një parti drejt rënies, do krijojë përçarje. Është një politikan konfrontal, dhe agresiv dhe shpesh herë ka dëmtuar proces të rëndësishme të Shqipërisë. Tani nuk ka më petkun e presidentit apo mbështetjen e sovranitetit, është një njeri që ngre duart tani në mënyrë deklarative. Ajo që ndodhi me politikanin simbol të tranzicionin mund të ndodhë edhe më shumë politikanë tjerë. Mendoj se ka një lajm të mirë për shqiptarët nuk ka më politikanë që nuk ndëshkohen. Lajmi i keq për ato që ndjekin Bërishën apo Metën kur merr këtë damkë ‘non grata’. Meta dhe Berisha do ta kenë të vështirë që të rilindin.’- tha Bushati.
Duke u ndalur tek situata në kampin opozitar, Bushati u shpreh se nuk është mirë për Shqipërinë dhe për vetë politikën shqiptare që të ketë një kundërshtar aq të dobët.
‘Nuk është mirë për Shqipërinë dhe për politikën shqiptare dhe për PS-në të ketë kundërshtar kaq të dobët. Nuk ka ide me të mira, nuk ecën punët. Asnjë mazhorancë nuk do të donte të kishte një opozitë kaq të padëshiruar nga ndërkombëtarët, por edhe nga shqiptarët. Nuk kam parë ndonjëherë opozitën në një vështirësi të tillë. Është e njëjta histori. Figura që kanë kaq kohë në histori dhe nuk kanë ndryshuar.’- tha Bushati.