Eshte arrestuar pas 24 orësh në arrati, 37-vjeçari Ramiz Mici, i cili masakroi me thikë bashkëjetuesen e tij, Jetlira Elezi, raporton News 24.
Krimi i rëndë ndodhi pak pas mesnatës së të premtes (30 gusht) në banesën e marrë me qira nga çifti në lagjen “Skenderbej” në Elbasan.
Ramiz Mici pasi qëlloi për vdekje me thikë 37-vjeçaren, braktisi trupin e saj të pajetë aty dhe u arratis.
Trupi i pajetë i viktimës u gjet nga pronarët e banesës shtirë në dysheme mbuluar me gjak.
Çifti ditët e fundit kanë pasur konflikte dhe Jetlira Elezi e kishte denoncuar në polici bashkëjetuesin e saj, por kjo nuk mjaftoi për t’i shpëtuar jetën.
Ramiz Mici dyshohet se vrau 37-vjeçaren për shkaqe xhelozie. Ata kishin qenë të martuar më parë dhe kishin fëmijë nga martesat e mëparshme.
Vajza e Jetlira Elezit jetonte me të ëmën, por mbrëmjen e krimit nuk ndodhej në banesë pasi kishte shkuar tek i ati.